Foto: Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Facebook

Mjekët në QKUK i largojnë kurorën e dhëmbit pacientes që e gëlltiti atë

Mjekët në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare i kanë larguar një pacienteje një kurorë të dhëmbit, të cilën ajo e kishte gëlltitur, gjatë një ndërhyrjeje te stomatologu.

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, pacientes 37-vjeçare nga Gjakova, i ka depërtuar kjo kurorë dhëmbi në rrugët e frymëmarrjes, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e saj, me simptoma të frymëmarrjes së vështirësuar dhe kollitje.

“Me urgjencë ishte sjellë në Klinikën e Pulmologjisë, ku mjekët e klinikës konstatuan se duhet të bëhet ndërhyrje urgjent përmes bronkoskopisë, duke hequr kurorën nga rrugët e frymëmarrjes dhe duke i shpëtuar jetën” – thuhet në njoftim.

Bronkoskopia është një teknikë që përdoret për të parë rrugët e frymëmarrjes me një kamerë të vogël që ndodhet në fund të një tubi fleksibël. Ky tub lidhet me një ekran që mjekët të shikojnë dhe fotografojnë rrugët ajrore.

Foto: Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Facebook
Foto: Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Facebook