Shtëpia e Bardhë në Washington DC, vendndodhja e Kongresit amerikan, Foto: Balkan Insight/Pixabay

Trump injoroi thirrjet për dënimin e dhunës në Kongres, thuhet në seancën dëgjimore

Një hetim i Kongresit ka thënë se ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka shikuar trazirat e Kongresit të vitit të kaluar nga televizori në Shtëpinë e Bardhë, duke i injoruar fëmijët dhe këshilltarët e tij që “e lutnin” që të dënonte turmën.

“Ai zgjodhi të mos veprojë,” tha Adam Kinzinger, një nga dy republikanët në komitetin e udhëhequr nga demokratët.

Seanca dëgjimore tha se Trump nuk ua bëri asnjë telefonatë të vetme punonjësve të zbatimit të ligjit ose të sigurisë kombëtare.

Ai ishte i motivuar nga “dëshira e tij egoiste për të qëndruar në pushtet”, pretendoi hetimi.

Të enjten mbrëma, komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve e përdori seancën e tij të tetë të verës për ta hartuar një afat kohor të aktiviteteve të Trump mbi 187 minuta më 6 janar 2021, ndërsa një turmë e mbështetësve të tij bastisi Kongresin.

Paneli po kërkon ta ndërtojë një rast se republikani Trump veproi në mënyrë të paligjshme në një përpjekje për ta përmbysur humbjen e tij nga demokrati Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Trump, i cili ka lënë të kuptohet se mund të kandidojë sërish për president në vitin 2024, e ka hedhur poshtë hetimin si një “gjykatë kangur” e krijuar për t’i shkëputur amerikanët nga “katastrofa” e qeverisjes demokratike.

Në seancë u tha se ish-presidenti Trump e kishte shikuar mbulimin mediatik të trazirave në Fox Neës në dhomën e ngrënies private në Shtëpinë e Bardhë për më shumë se dy orë e gjysmë.

Elaine Luria, një demokrate nga Virxhinia në komitet, tha: “Presidenti Trump u ul në tryezën e tij të ngrënies dhe e shikoi sulmin në Kapitol Hill përmes televizionit, ndërsa stafi i tij më i lartë, këshilltarët më të afërt dhe anëtarët e familjes i lutën të bënte atë që pritet nga çdo president amerikan. “

Ligjvënësi tha gjithashtu se fotografi kryesor i Shtëpisë së Bardhë kishte dashur të bënte fotografi gjatë ngjarjes historike, por iu tha që të mos e bënte këtë.

Një ish-punonjës i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, zëri i të cilit ishte i turbulluar për ta fshehur identitetin e tij, tha se zyrtarët në rezidencën ekzekutive ishin “në një gjendje shoku” për atë që po ndodhte në Kapitol Hill.

Komiteti gjithashtu transmetoi pjesë të dëshmisë së regjistruar në video të ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë të Trump, Pat Cipollone, i cili tha se kishte bërë përpjekje për një deklaratë të fortë nga presidenti përmes të cilit ky, trump pra, e dënonte sulmin.

“Unë thashë që njerëzve duhet t’u thuhet, duhet të ketë një njoftim publik, shpejt, që njerëzit duhet të largohen nga Kapitoli,” tha Cipollone.

Fëmijët e presidentit, Ivanka Trump dhe Don Jr, kishin kërkuar gjithashtu që ai të bënte thirrje për t’i ndaluar protestuesit, thuhet në seancën dëgjimire të komiteti të lartcekur.

Mirëpo ish-ndihmësja e shtypit Sarah Mattheës dëshmoi se një kolege e Shtëpisë së Bardhë, e paidentifikuar, kishte argumentuar se nëse Trump do ta mohonte dhunën, do të kishte “dhënë një fitore mediave”.

Tri orë e shtatë minuta pas fillimit të sulmit, Trump publikoi një video në orën 16:17, të regjistruar nga Kopshti i Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën ai lavdëroi protestuesit si “shumë të veçantë”, por u kërkoi atyre të shpërndaheshin.

Komiteti transmetoi gjithashtu një video të paparë më parë të Trump më 7 janar, duke e mohuar  dhunën në Kapitol të një dite më parë.

“Nuk dua të them se zgjedhjet kanë mbaruar”, tha Trump gjatë këtij video-regjistrimi.

Paneli ka sugjeruar se mund të ketë prova të mjaftueshme për të akuzuar Trump me akuza të tilla si pengimi i një procesi zyrtar të Kongresit, ose konspiracion për ta mashtruar popullin amerikan./BBC