Tri ditë pasi dha dorëheqje, Labinot Halilaj rikthehet në postin e kryesuesit të kuvendit të Drenasit

Tri ditë pasi dha dorëheqje si kryesues i Kuvendit Komunal të Drenasit, Labinot Halilaj është rikthyer në këtë post.

Halilaj deklaruar se po e tërheq dorëheqjen për shkak të insistimit të këmbëngulës të asamblistëve, drejtorëve dhe të vet kryetarit Ramiz Lladrovci.

“Pas insistimit këmbëngulës te asamblistëve, drejtoreve dhe personaliteteve të shquara të komunës dhe më gjerë, në veçanti të kryetarit Lladrovci, e tërheq dorëheqjen dhe vazhdoj mandatin në krye të Asamblesë komunale. Faleminderit për respektin dhe bashkëpunimin. Jam i nderuar të vazhdoj punën e përkushtimin e përbashkët”, thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Halilaj njoftoi më 23 mars se ka dhënë dorëheqje si kryesues i Kuvendit Komunal të Drenasit.

Ai kishte thënë se aktivitetin e tij politik do ta ushtroj tani vetëm si anëtar i kryesisë së degës së Partisë Demokratike të Kosovës.

“Të nderuar familjar, miq, simpatizant dhe aktivist të PDK-së, përmes këtij postimi ju njoftoj mbi dorëheqjen tim nga pozita e KK të Drenasit ku aktivitetin tim politik do ta ushtroj tani vetëm si anëtar i kryesisë së partisë së degës dhe mbetem mbështetës i fuqishëm i z. Lladrovci”, ka shkruar Halilaj.

KALLXO.com në fund të vitit 2020 kishte publikuar hulumtimin i cili shfaqte se kompania “Grande Sh.p.k” e cila është në pronësi te Labinot Halilajt të PDK-së, kishte nisur punimet për një objekt banesor në qytetin e Skenderajt, përkatësisht në rrugën “17 Shkurti”, pa leje ndërtimore.

Më 7 dhjetor 2017, Halilaj është zgjedhur kryesues i Kuvendit të komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci.