Kryesuesi i Kuvendit në Drenas jep dorëheqje

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Labinot Halilaj ka dhënë dorëheqje sot nga ky post.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Halilaj në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.

Ai ka njoftuar se aktivitetin e tij politik do ta ushtroj tani vetëm si anëtar i kryesisë së degës së Partisë Demokratike të Kosovës.

“Të nderuar familjar, miq, simpatizant dhe aktivist të PDK-së, përmes këtij postimi ju njoftoj mbi dorëheqjen tim nga pozita e KK të Drenasit ku aktivitetin tim politik do ta ushtroj tani vetëm si anëtar i kryesisë së partisë së degës dhe mbetem mbështetës i fuqishëm i z. Lladrovci”, ka shkruar Halilaj.

KALLXO.com në fund të vitit 2020 kishte publikuar hulumtimin i cili shfaqte se kompania “Grande Sh.p.k” e cila është në pronësi te Labinot Halilajt të PDK-së, kishte nisur punimet për një objekt banesor në qytetin e Skenderajt, përkatësisht në rrugën “17 Shkurti”, pa leje ndërtimore.

Më 7 dhjetor 2017, Halilaj është zgjedhur kryesues i Kuvendit të komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci.