Njeriu i PDK-së fillon të ndërtoj objekt pa leje në Skenderaj

Kompania “Grande Sh.p.k” ka nisur tash e dy muaj, punimet për një objekt banesor në qytetin e Skenderajt, përkatësisht në rrugën “17 Shkurti”, pa leje një ndërtimore.

Inspektorët komunal shkuan t’i ndalin punimet, vetëm pasi rasti u lajmërua në stacionin policor nga një asamblist i Komunës së Skenderaj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Të premten, Policia e Kosovës konfirmoi se është iniciuar rast i veprës penale “ndërtim pa leje”.

Operatori ekonomik “Grande sh.p.k”  është në pronësi të përbashkët e Labinot Halilajt nga komuna e Drenasit, por me seli në Prishtinë. Halilaj është aktivist politik  nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe është kryesues i kuvendit komunal të Drenasit, komunë që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i PDK-së.

Në profilin e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci në rrjetin social “Facebook” haset edhe fotografia e përbashkët e tij me Labinot Halilajn dhe kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharit, gjatë një vizite të punimet e shtatoreve të heronjëve Shaban, Adem e Hamëz Jashari.

Ramiz Lladrovci, Labinot Halilaj dhe Bekim Jashari, Foto: Facebook 2019

Paraprakisht, në asamblenë komunale të Skenderajt, në muajin gusht ishte sjellë marrëveshja përmes të cilës prona e paluajtshme e Komunës së Skenderajt kishte kaluar në pronësi të “Grande Sh.p.k” me sipërfaqe prej 813 m3, ndërsa prona e “Grande Sh.p.k” kishte kaluar në emër të Kuvendit Komunal Skenderaj, me sipërfaqe prej 985 m2. Kurse pjesa e mbetur prej 172 m2, u shndërrua në koeficient ndërtimi. Marrëveshje kjo e cila hyri në fuqi me 21 gusht.

Një muaj më pas, punimet u nisen nga kjo kompani, anipse marrëveshja nuk kishte të bënte asgjë me lejen ndërtimore. “Grande sh.p.k” i kishte paralajmëruar vazhdimisht punimet në faqen e tyre në rrjetin social “Facebook”, duke publikuar ekskavatorët duke punuar.

Kur kuptoi që kompania ka nisur punimet pa leje, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Skenderajt, Hysni Mehani iu drejtua stacionit policor në Skenderaj, që të fillojë hetimet edhe ndaj dy drejtorive që kanë lejuar zhvillimin e punimeve pa një leje përkatëse.

“Sot, Policinë e Kosovës, stacionin në Skënderaj, e kam njoftuar se kryesuesi i kuvendit komunal të Drenasit, Labinot Halilaj, është duke e ndërtuar një objekt pa leje në Skënderaj. Kam kërkuar nga policia që të fillojë hetimet edhe ndaj Drejtorisë së Urbanizimit dhe Drejtorisë së Inspektoriatit në Skënderaj, dhe gjithë përgjegjësve që po e lejojnë këtë ndërtim edhe pse i kemi paralajmëruar me kohë. Është e papranueshme që me lejën e institucioneve komunale të ndërtohen objekte pa leje. Ata që janë votuar për të zbatuar ligjin e gojën e kanë plot barazi para ligjit, bëjnë marrëveshje për ta shkelur vetë ligjin”, ka shkruar asamblisti i LVV-së në rrjetin social “Facebook”.

Mirëpo, pronari i kompanisë “Grande Sh.p.k”, Labinot Halilaj në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se procedurat për pajisje me leje ndërtimi i ka nisur shumë kohë më parë, duke insistuar kategorikisht të mohoi se punimet i nisi pa leje.

Sipas Halilajt, themeli i punuar pa një leje përkatëse, nuk qon shumë peshë, sepse siç thotë ai “nuk bëhet fjalë për një objekt 7-katësh”.

“Po punimet janë ndal, nuk e di kur janë ndal saktë. Jemi në procedura, punimet s’janë tu u bë kaq. Për leje kam apliku moti, shumë, shumë moti. Edhe krejt jemi bazë standarteve që lypet. Punimet janë ndërpre se jemi në procedura. Po bahet shumë zhurmë për kurrgjë, se me pas pat diçka, në rregull ish kanë. Edhe me shku në polici, Policia është e jonja. Në kemi qenë në procedura edhe jemi. Kurrgjë nuk kemi bë diçka, po e bëni si me pas kanë një objekt 15 katesh, por nuk është ashtu. Nuk muj e determinojë dinamikën e punë së tyrë. Në raste të tjera, në prone të vetë, për bodrum nuk merret kurrkush, se nuk prish kurrfarë plani urbanistik. Çfarë kërkesë duhet me ba për bodrum? Nëse ish kanë 7-8 kat ju kisha dhanë të drejtë juve”, ka deklaruar Halilaj.

Në anën tjetër, Komuna e Skenderajt në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se inspektorati komunal ka ndërprerë punimet deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që kompania në fjalë ka aplikuar për leje ndërtimore dhe tani është në procedurë të pajisjes me leje ndërtimore. Inspektorati komunal ka ndërprerë punimet deri në përfundimin e procedurave përkatëse”, thuhet në përgjigjen elektronike.

Krahas kësaj, drejtoresha e Urbanizimit në Skenderaj ka pohuar se operatori ekonomik ka aplikuar për leje pasi që punimet iu ndërprenë nga zyrtarët policor dhe inspektorati komunal.

Drejtoresha e kësaj dikasteri, Sanije Ahmeti u shpreh se nuk e dinë pse kompania ka filluar të punojë pa u pajisur me leje.

“Jo nuk qenë e pajisur me leje, është në procedurë. Për leje ka apliku këtë javë, pasi ja kanë ndërprerë punë ka sjellë kërkesë për leje ndërtimore. Nuk ka apliku më herët, nuk e di pse ka fillu punimet”, u shpreh ajo.

Për hetimin e kësaj çështje tashmë është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është inicuar rast i vepres penale “ndërtim pa leje”.

“Ankuesi m/k raporton se i dyshuari m/k është duke bërë një ndërtim pa leje. Njësitë policore dhe inspektorati komunal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe punimet janë ndërprerë. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit”, ka thënë Policia.