Tre milionë eurot që Komuna e Mamushës nuk i ka për të siguruar ujin e pijshëm

Mamushasit vazhdojnë të kenë problem me sigurimin e ujit të pijshëm.

Zgjidhje ata po bëjnë duke hapur bunarë.

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet komunale, Abdylhadi Krasniç, tashmë kryetar i Mamushës kishte pasur premtim kryesor kyqjen e Mamushës në sistemin e ujit të pijshëm.

Por kryetari Krasniç ka dështuar të përmbush këtë premtim dhe të zgjidhi problemin esencial për mamushasit.

Edhe vetë kryetari i Mamushës ka treguar se edhe ai përdor ujin e bunarit, kurse ka treguar se në vazhdimësi ka qenë kërkesë e Komunës për të gjithë kryeministrat dhe qeveritë t’iu plotësojnë këtë nevojë të banorëve.

Sipas tij, “Hidroregjioni Jugor” deri më sot ka bërë investime rreth 500 mijë euro për sistemin e ujit të pijes..

“Përmes Hidroregjionit kemi sjellë sistemin e ujit të pijes dhe do të hapim disa bunarë të reja për të plotësuar nevojat për ujë të pijes, por qytetarët e kanë kërkesën me pru ujin prej Radoniqit që është 7 kilometra afër Mamushës” ka treguar kryetari Krasniç.

 

Ai ka treguar se duhen rreth 3 milionë euro shpenzimet për të zgjidhur këtë problem, mirëpo buxheti i Komunës është shumë i vogël për të zgjidhur këtë problem.

“Janë në dijeni në Qeveri dhe jemi në pritje që para vitit të ri të zgjidhim këtë problem”, tha ai në emisioni “Jeta në Komunë“.

Në përballje me Jeta Xharrën në serinë e debateve “Jeta në Komunë”, kryetari i Mamushës është përballur me premtimet e tij të dhëna para se të votohej për kryetar Komune, kurse i njëjti ka dhënë llogari për premtimet e mbajtura dhe ato të parealizuara deri më sot.