Tollovi para qendrës së vaksinimit në Lipjan, qytetarët presin deri në 3 orë

 

Para qendrës së vaksinimit në Lipjan është krijuar tollovi.

Kjo për shkak të numrit të madh të qytetarëve të cilët po presin që të marrin vaksinën anti-COVID-19.

KALLXO.com ka kontaktuar me koordinatorin e Qendrës së Vaksinimit në Lipjan, Izer Sinanin.

Sipas tij tollovia po bëhet për shkak se ka persona të cilët po presin për të caktuar terminin dhe të tjerë të cilët e kanë të caktuar terminin dhe do e marrin sot vaksinën.

I njëjti tha se nga sot nuk të ekzistoj një problem i tillë pasi që numri i ekipeve mjekësore është shtuar.

“Prej sot i kemi pesë ekipe paradite, pesë pasdite. Nuk besoj që kena me pas telashe ma”, shtoi Sinani për KALLXO.com.

Ai tregoi se deri më sot kanë punuar me nga tri ekipe në ndërrim.

Numri i ekipeve është shtuar pasi që Ministria e Shëndetësisë ka dërguar shtatë mjekë tjerë në këtë qendër.

Albina Vishesella është një nga qytetaret që ka pritur për t`u vaksinuar.

Sipas saj pritja ka zgjatur dy orë e gjysmë anipse e njëjta kishte shkuar tek qendra e vaksinimit gati një orë para terminit.

“Faktikisht unë shkova më herët aty, para terminit për shkak se thanë që na bjen me prit shumë po prapë nuk mujta me hy me orar të terminit”, shtoi tutje Vishesella.

KALLXO.com ka siguruar fotografi ku shihen qytetarët e grumbulluar duke pritur.