Thirret protestë në Mitrovicën Veriore lidhur me vendimin e BQK-së për dinarin serb

Një protestë kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur më dinarin serb është thirrur për ditën e sotme në Mitrovicën Veriore. Protesta është paralajmëruar se do të mbahet në ora 12:00, datë 12.02.2024.

Sipas një deklarate të Listës Serbe, protesta që do të mbahet lidhur me çështjen e dinarit serb. Kjo parti ka njoftuar se protesta do të jetë paqësore dhe është paralajmëruar nga pensionistët.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë tha se do të përkrahin këtë protestë.

“Në të njëjtën kohë ftojmë të gjithë qytetarët tanë nga Kosova që të hënën në ora 12:00 të marrin pjesë në këtë protestë demokratike të qytetarëve”- tha Lista Serbe.

Tutje në këtë njoftim u tha se janë kundër vendimit për çështjen e dinarit.

“Është me rëndësi të madhe t’i tregojmë Prishtinës me praninë tonë në numër të madh se ne i kundërshtojmë këto vendime antiserbe dhe se duam të qëndrojmë në paqe dhe të jetojmë në vatrat tona shekullore”- tha LS.

Nga 1 shkurti në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shteti i tij i ka 31,831 të punësuar në Kosovë, 29,115 pensionistë – prej të cilëve 4,700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31,586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Vendimi për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Evropian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

Javën e kaluar u mbajt edhe një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila ishte thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë seancë, Serbia përfaqësohej nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërkaq Kosova përfaqësohej nga kryeministri Albin Kurti.

Përmbledhje – Ballafaqimi Kurti-Vuçiq në KS të OKB-së për dinarin dhe Banjskën

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, në një intervistë në “Kallxo Përnime”, ka dhënë detaje rreth Rregullores së re të BQK-së për operacionet me paratë e gatshme, e cila hyri në fuqi nga data 1 shkurt 2024.

Sipas Rregullores, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.

Ky vendim u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa për këtë guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës e “vizituan” ambasadori i BE-së në Kosovë dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vendimi për ndalimin e dinarit, guvernatori: Kjo është luftë kundër pastrimit të parasë dhe terrorizmit