Themelohet Grupi i Deputetëve të Gjelbër në Kuvendin e Kosovës

Është themeluar grupi joformal i deputetëve të gjelbër në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila ka treguar se kjo është legjislatura e dytë me radhë në Kuvend që vazhdon puna e GDGJ.

Sipas saj, pjesë e këtij grupi janë deputetë të të gjitha grupeve parlamentare.

“Grupi i deputetëve të gjelbër synon përfshirjen e Kuvendit të Kosovës në një rol më aktiv për të siguruar që në formësimin dhe zbatimin e politikave publike dhe legjislacionit të merret parasysh perspektiva e ndikimit në mjedis. Gjithashtu GDGJ do të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit të miratuar dhe do të identifikojë nevojat për amandamentim të legjislacionit aktual.Pjesë e punës së GDGJ do të jenë edhe nismat konkrete për aktivitete në nivelin qendror dhe lokal dhe një bashkërendim i aktivitetit me shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe vendore të cilat kanë fokusin në sfidat zhvillimore dhe mjedisore”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ky grup do të përbëhet nga: Mimoza Kusari, Donika Kadaj Bujupi, Ariana Musliu Shoshi, Fitore Pacolli, Fidan Rekaliu, Albena Reshitaj dhe Albert Kinolli.

Kujtojmë se deputetja Mimoza Kusari-Lila është në mesin e 19 personave për akuzën për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut proces ky i zhvilluar gjatë ‘Qeverisë Thaçi 2’.  Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shtije të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.

Në atë kohë, Kusari Lila kishte qenë ministre e Tregtisë dhe pjesë e komitetit ndërministror që kishte monitoruar procesin e privatizimit të KEK-ut.

Reagon Mimoza Kusari Lila pas ngritjes së aktakuzës për faljen e Hidrocentraleve

Aktakuzë për ish-ministrat e ‘Qeverisë Thaçi 2’ për faljen e Hidrocentraleve