Thaçi tash nuk është i interesuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka deklaruar se nuk është i interesuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në bazë të situatës me COVID-19.

Sipas Presidentit, koha është deklaruar për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ka qenë një moment kur ka menduar t’i mbrojë qytetarët e Kosovës.

“E kam urryer gjithmonë si fjalë “gjendje e jashtëzakonshme” dhe kjo nga përvoja ime, e familjes sime dhe e familjeve të të gjithë qytetarëve të Kosovës që kemi përjetuar në atë kohë masa të jashtëzakonshme që kanë qenë represive deri në përmasa të gjenocidit dhe e kam përjetuar edhe vet. Ajo rrethanë që ishte në atë kohë, ishte një rrethanë për të krijuar një mundësi për të mbrojtur qytetarët, por ka kaluar dhe është një momentum tani më i përmbyllur nga ana ime. Përsëri po e theksoj që është shumë e rëndësishme që të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, tha Thaçi në Konferencë.

Deklarata e Thaçit me datën 17 mars për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme është bërë në kohën kur Kosova ka pasur vetëm 19 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe asnjë të vdekur.

Aktualisht në kohën kur presidenti nuk ka më interesim për “gjendje të jashtëzakonshme”, në Kosovë janë të konfirmuara 1234 raste pozitive me COVID-19 dhe 31 të vdekur.

Ndërsa në Kosovë deri më sot janë shëruar 890 persona të konfirmuar më parë me COVID-19.

Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike vazhdimisht është duke apeluar për të respektuar distancën sociale dhe për përdorimin e maskave për shkak të rrezikut të shpërthimit të vatrave të reja të coronavirusit.