Thaçi sot merr pjesë në seancën plenare të Forumit të Paqes në Paris

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot do të marrë pjesë në seancën plenare të Forumit të Paqes në Paris, ndërsa në mesditë do të ketë një panel të veçantë, ku do të flasë për angazhimin për arritjen e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.

Sipas një njoftimi për media, Forumi i Paqes në Paris ka filluar mbrëmë me darkën solemne të shtruar nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

Para kësaj darke, Thaçi ka pasur një takim bilateral me presidentin Macron, me të cilin ka biseduar për mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje të paqes me Serbinë.

“Jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të arrijmë një marrëveshje paqësore përfundimtare, që do të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, është shprehur presidenti Thaçi në takim me presidentin Macron.

Sipas njoftimit për media të presidencës, Thaçi në takimin e djeshëm me presidentin Macron ka folur edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Presidenti Thaçi takon homologun francez: Kosova është e gatshme për marrëveshje të paqes

Thaçi edhe në vitin e kaluar ka qenë pjesë e Forumit të Paqes, ku  para se të udhëtonte për në Paris, ai kishe mbajtur takim të përbashkët me homologun e tij serb, Vuçiq dhe përfaqësuesen e BE-së, Mogherini në kuadër të fazës finale të dialogut.

Thaçi: Kundërshtarët e marrëveshjes me Serbinë kanë qëllim thyerjen e Evropës

Forumi i Paqes i Parisit është iniciativë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të bërë bashkë protagonistë të qeverive e të qeverisjes nga e tërë bota dhe për të diskutuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë.

Këtë vit në Forumin e Paqes në Paris marrin pjesë presidentë nga e tërë bota, përfaqësues të organizatave kryesore ndërkombëtare si OKB dhe BE, si dhe përfaqësues të kompanive dhe organizatave joqeveritare e think-tankeve më me ndikim në botë.

www.kallxo.com