Presidenti Thaçi takon homologun francez: Kosova është e gatshme për marrëveshje të paqes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij në Paris ka pasur një takim me homologun francez, Emmanuel Macron, me të cilin ka biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentit, bëhet e ditur se Thaçi ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për marrëveshje paqësore me Serbinë.

“Jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të arrijmë një marrëveshje paqësore përfundimtare, që do të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, citohet të ketë thënë Thaçi.

“Kjo do të thotë rrumbullakim i konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se “kjo do t’i hapë rrugë investimeve nga jashtë”.

Sipas Thaçit një marrëveshje me Serbinë do t’i hapë më shumë rrugë Kosovës.

“Kjo do të thotë zhvillim për Kosovën. Kjo do të thotë më shumë mundësi për prosperitet, për jetë më të mirë, për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Presidenti Thaçi në takim me presidentin Macron ka folur edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

“Kosova ka vetëm një synim: anëtarësimin në NATO dhe BE. Asgjë nuk na lëkund nga ky synim dhe asgjë nuk na lëkund nga kjo rrugë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Macron ka shprehur përkrahjen e tij për paqe të qëndrueshme dhe zhvillim në Kosovë dhe në tërë rajonin tonë.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar presidentin Macron për përkrahjen e tij për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor.