Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Thaçi i shkruan Kurtit për herën e katërt, i kërkon mandatarin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot për herë të katërt i ka shkruar kryeministrit në detyrë Albin Kurtit duke ia kërkuar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com Thaçi i ka thënë Kurti se me qenë se është deklaruar se nuk refuzon të përgjigjet, atëherë ta bëjë këtë sa më shpejtë.

“ Në shkresën tuaj të dërguar më 17 prill, ju nuk keni propozuar kandidatin/en për Kryeministër, por keni theksuar se nuk jeni duke refuzuar për të propozuar kandidatin për kryeministër. Më lejoni t’ua theksoj se mosrefuzimi nga ana juaj nënkupton që ta dërgoni emrin e kandidatit/es për kryeministër. Por, ju nuk e keni bërë ende këtë, përkundër faktit që ua kam dërguar tri kërkesa për këtë qëllim”, thuhet në letrën e presidentit.

 

Sot Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar me një letër presidentit Hashim Thaçi, përmes së cilës ka qartësuar se nuk heziton t’i përgjigjet dhe as nuk e refuzon kërkesën e tij, porse është në pritje të përgjigjes nga ai për letrën e fundit të dërguar.

“Do të jem në pritje të sqarimit tuaj, me shpresën se do të përdorni standardin e njëjtë që po pritni nga unë. Pas përgjigjes suaj mbase mund ta kem më të qartë arsyen pas këtij insistimi për t’u marrë me çështje dytësore e tretësore, në një kohë kur të gjithë duhet të bashkohemi në luftën kundër armikut të përbashkët – COVID-19”, thuhet në letrën e Kurtit.