Thaçi: Gjykata Speciale do të merret me trillim shkencor

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se Gjykata Speciale do të merret me diçka që është “trillim shkencor”.

Këtë deklaratë Thaçi e ka dhënë në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe.

“Gjykata Speciale do te merret me diçka që është trillim shkencor, siç është raporti i Dik Martit. Por, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë, që pas 10 vitesh hetime, ta dinë a ka pasur në të vërtetë tregti me organe apo jo, gjë që ishte edhe arsyeja e themelimit të gjykatës”, është shprehur ai.

Thaçi pohon se organet ndërkombëtare për këtë e kanë ndihmën e Kosovës.

“Kosova i ka përmbushur obligimet ndaj Gjykatës Speciale, bashkëpunon më shumë me organet e drejtësisë ndërkombëtare nga çdo shtet në rajon. Këtë e bëjmë për ta ruajtur partneritetin më Uashingtonin dhe Brukselin”, i tha ai BBC-së.

Ai ka ftuar që puna e Gjykatës Speciale të mos politizohet.

“Shpresoj që gjykata nuk do të jetë monoetnike sepse kjo do ta dëmtojë thellësisht reputacionin e këtij institucioni, nëse nuk do të merret me gjenocidin që e ka kryer Serbia në Kosovë – duke i vrarë më shumë se 12 mijë civilë shqiptarë, duke i kryer 400 masakra mbi popullatë, i kemi 20 mijë viktima të dhunës seksuale të kryer nga forcat serbe, dhe më shumë se 1300 fëmijë të vrarë”, ka thënë  ai.

“Nëse krimet nuk zgjidhen, ne do ta kemi amnisti ndërkombëtare për krimet e kryera në Kosovë, dhe atëherë besueshmëria e Gjykatës speciale do të jetë zero”, është shprehur Thaçi.

Kur u pyet nëse puna e Gjykatës Speciale mund të ndikojë në karrierën e tij politike, Thaçi u përgjigj shkurt me “Jo”.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Kjo gjykatë është themeluar me kërkesë të faktorit ndërkombëtar, për të gjykuar krimet e pretenduara të shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pesë vjet pas themelit, Specialja ka dërguar dhjetëra ftesa për intervistim dhe ka intervistuar edhe ish-luftëtarë të UÇK-së, por se ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Thaçi mes tjerash thotë se pret që edhe përvjetorin e ardhëm të pavarësisë ta pres në Kabinetin e Presidentit të Kosovës.

BBC shpjegon se presidentin e Kosovës e zgjedhin deputetet, kurse ish-partia politike e Thaçit [PDK], tani është në opozitë.

Në pyetjen, a do të kandidojë për mandat të ri, Thaçi nuk ka përgjigje përfundimtare.

“Varet nga rrethanat. Do të mundohem të mësoj edhe diçka tjetër, përveç politikës, por tani për tani jam i fokusuar në punën e presidentit”, është shprehur ai.