Thaçi gjatë bisedës me Joseph Borrell kërkon nga BE-ja liberalizim të vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, me të cilin tha se ka diskutuar për perspektivën evropiane dhe zhvillimet në Kosovë e rajon.

Presidenca përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Thaçi dhe Borrell u pajtuan për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm që na presin detyra të mëdha dhe se është e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re, që do të përballet me sfidat dhe do t’i realizojë obligimet ndërkombëtare që ka Kosova”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Më tej bëhet e ditur se Presidenti ka theksuar se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe të cilat janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Përveç kësaj thuhet se, Thaçi kërkoi që BE-ja ta përmbushë obligimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet. Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vendim meritor në këtë pikë”, tha presidenti Thaçi në bisedën telefonike me Përfaqësuesin e Lartë Borrell.

“Presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sot gjatë ditës ka biseduar në telefon me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Borrell me të dy presidentët ka folur për rëndësinë e rifillimit të dialogut dhe ka konfirmuar vendosmërinë dhe angazhimin e tij personal, si lehtësues, me mbështetjen e shteteve anëtare të BE-së.

Joseph Borrell bisedoi në telefon me Thaçin e Vuçiqin për dialogun