Josep Borrell (në mes) dhe Federica Mogherini (djathtas).

Joseph Borrell bisedoi në telefon me Thaçin e Vuçiqin për dialogun

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sot gjatë ditës ka biseduar në telefon me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Borrell me të dy presidentët ka folur për rëndësinë e rifillimit të dialogut dhe ka konfirmuar vendosmërinë dhe angazhimin e tij personal, si lehtësues, me mbështetjen e shteteve anëtare të BE-së.

Gjatë bisedës së tij me Thaçin, Borell është pyetur edhe në lidhje me formimin e qeverisë në Kosovë. Në lidhje me këtë, Përfaqësuesi i BE-së ka bërë thirrje që liderët e partive në Kosovë të procedojnë me shpejtësi formimin e qeverisë, në interes të Kosovës dhe të njerëzve të saj.

Në diskutimet më dy presidentët, Borrell gjithashtu ka folur për progresin dhe perspektivat e ardhshme të të dy shteteve, në rrugën e tyre drejt BE-së, si dhe rëndësinë e përparimit të procesit, përpara Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet në Zagreb të Kroacisë, në maj të këtij viti.

Ndërsa në fund, Borrell ka konfirmuar qëllimin e tij për të udhëtuar në Prishtinë dhe Beograd, gjatë javëve në vijim.