Thaçi ateron në Tiranë, thotë se të dielën i drejtohet qytetarëve

Presidenti i Kosovës, Hashim  Thaçi sot ka njoftuar se pas anulimit të vizitës në Washington ka ateruar në aeroportin e Tiranës.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë që të dielën do të ketë një paraqitje publike pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj tij dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli.

“Sapo kam zbritur në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Të mërkurën Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Si presidenti Thaçi ashtu edhe kryeministri Avdullah Hoti kanë anuluar pjesëmarrjen në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë ku pritej të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi.