Foto: Loreta Cuka/BIRN

Teatri fiton ndaj politikës, Erion Veliajt i dështon koncesioni

Mbi pesë muaj pas përfundimit të tenderit për koncesionin, Bashkia Tiranë bëri të ditur të Mërkurën se bisedimet me kontraktorin privat kanë dështuar ndërsa pretendoi se projekti kontrovers do të zbatohet me paratë e taksapaguesve. Bashkia kishte heshtur që prej pesë muajsh mbi fatin e tenderit të thirrur prej saj.

 

Bashkia e Tiranës njoftoi një pjesë të mediave të Mërkurën, pas pesë muajsh heshtjeje se një procedurë negocimi pas një tenderi misterioz të zhvilluar shtatorin e kaluar me një partner privat për koncesionin kontrovers të teatrit kombëtar, “ka dështuar”.

Bashkia publikoi njoftimin e dështimit në faqen e vet të internetit në të cilën lihet të kuptohet se në tender ka pasur vetëm një ofertë dhe se grupi negociator “nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private.”

Bashkia nuk bëri të ditur se cili ishte subjekti që kishte hedhur ofertën në tenderin që zyrtarisht është mbyllur më 19 Shtator 2019 dhe për të cilin bashkia nuk ka shpallur emra pjesëmarrësish apo rezultat.

Shkëlqim Fusha, administrator i Fusha sh.p.k., kompania që hodhi fillimisht propozimin e pakërkuar për projektin, refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të BIRN për komente.

“Ndjehem sikur kam fituar një betejë të vogël ndërkohë që lufta është akoma e gjatë,” tha Kastriot Çipi një nga protestuesit më të hershëm të betejës dyvjeçare në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

“Ne jemi këtu për trashëgiminë e qytetit dhe jo për teknikalitetet ligjore. Ne kundërshtojmë edhe shembjen e ndërtesës ekzistuese për teatër të ri me fonde publike. Qeveria mundet dhe duhet të ndërtojë një teatër të ri kombëtar me fonde publike në një hapësirë tjetër publike, duke ruajtur trashëgiminë e kompleksit teatror ekzistues për brezat e ardhshëm,” shtoi ai.

Dy vjet protestë

Një pjesë e artistëve të Teatrit Kombëtar dhe aktivistë të tjerë dolën në protestë për herë të parë në shkurt të vitit 2018, kur u përballën me një kërkesë të papritur nga drejtoria e Teatrit për zbrazjen e ndërtesës historike dhe zhvendosjen e aktivitetit të këtij teatri në një sallë të re të njohur si “Turbina”. Ndonëse deri në këtë pikë nuk kishte asnjë lajm për koncesion dhe asnjë deklaratë zyrtare nga qeveria, artistët dolën menjëherë në protestë duke pasur frikë se godina e teatrit do të shembet për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve. Një muaj më vonë, më 12 Mars, kryeministri Edi Rama pranoi se ka në plan një marrëveshje partneriteti publik-privat, ose koncesion, të cilin Rama e quajti “frymëzues”, ndërsa u sha nga kritikët si një vjedhje.

Në qershor, kryeministri Edi Rama propozoi atë që u quajt “ligj special” përmes të cilit, parlamenti autorizonte bashkinë të negocionte me kompaninë Fusha sh.p.k., për ndërtimin e një teatri të ri në shkëmbim të tokës nën pronësi publike dhe lejes për të ndërtuar afro 90 mijë metra katrorë pallate. Një investigim i BIRN zbuloi në detajet e projektit.

Procesi u bllokua kur artistët dhe aktivistët protestues iu ankuan Komisionit Europian duke argumentuar me sukses se një ligj i tillë që paracakton fituesin e një tenderi jashtë kuadrit ligjor ekzistues bie ndesh me parimet e tregut të hapur dhe konkurrencës së ndershme që Shqipëria i ka si detyrim ndaj Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit.

Qeveria u detyrua të bëjë amendime në këtë ligj duke futur konceptin garë, por gjithsesi duke e mbajtur procesin sërish në një ligj të veçantë dhe duke injoruar kuadrin ligjor ekzistues të prokurimit publik dhe partneritetit publik-privat. Pas ecejakeve të shumta, përfshirë edhe përplasjes mes mbrojtësve të teatrit dhe policisë verën e kaluar, Bashkia Tiranë njoftoi hapjen e tenderit me afat për dorëzimin e ofertave 19 Shtatorin e vitit 2019. U deshëm pesë muaj që bashkia të njoftonte rezultatin e tenderit.

Në njoftim, bashkia pretendon se projekti i shumëkritikuar do të zbatohet me fonde të buxhetit të shtetit, një pretendim ky që bie ndesh me argumentin kryesor të dhënë nga qeveria përgjatë dy viteve debat se kishte nevojë për koncesion për shkak se nuk kishte para për të ndërtuar një teatër të ri kombëtar.