Të shtunën do të hapet ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës

Përvojat personale dhe gjësendet e fëmijëve kosovarë nga lufta e viteve 1998-1999, të cilat janë pjesë e koleksionit të Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, për herë të parë do t’i prezantohen publikut në Kosovë.

Ekspozita do të jetë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Pjesë e ekspozitës do të jenë historitë e Reneas, Blinorit, Besës dhe të tjerëve që kanë përjetuar luftën në Kosovë.

“Historitë e tyre, të cilat flasin për vështirësitë e kohës së luftës, por edhe për forcën e fëmijëve, ruhen nga Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, një muze i kushtuar tërësisht përvojave të atyre, fëmijëria e të cilëve ishte prekur nga lufta”, thuhet në njoftim.

Ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës do të jetë e hapur nga 16 deri më 30 prill 2022.

Ekspozita e parë e përhershme e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës u hap në Sarajevë në vitin 2017 dhe fillimisht iu kushtua përvojave të fëmijëve nga Bosnja dhe Hercegovina.

Amina Krvavac, Drejtoresha Ekzekutive e Muzeut thuhet të ketë thënë se qëllimi është të dokumentohet dhe prezantimi i përvojave të fëmijëve nga koha e luftës.

“Sot, koleksioni ynë përmban mbi 5000 sende personale dhe histori të fëmijëve dhe qindra orë dëshmi video me origjinë nga 15 zona të ndryshme konflikti. Fatkeqësisht, shumë nga këto zona janë ende zona active lufte”, ka thënë Krvavac.

Ekspozita, e organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës përmban histori personale, sende dhe video dëshmi të atyre që janë rritur në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.