Ilustrim FOTO: screenshot Policia e Shtetit/Facebook.

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar Policia e Shtetit kap dy të dënuar për drogë e mbajtje të armëve pa leje

Dy shtetas janë kapur dhe ekstraduar në Shqipëri nën dyshimet për posedim të drogës, pjesëmarrjes në grupe kriminale, mbajtje të armëve pa leje, e kalim të kufirit ilegalisht.

Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë bashkëpunimit me shtetet e tjera është arritur që të kapen dy shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht.

Njëri nga të dyshuarit është ekstraduar nga Greqia i cili ishte i akuzuar si pjesëtar i grupit kriminal me aktivitet të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa tjetri shtetas është ekstraduar nga Serbia, i dënuar me 3 vite burgim për dy vepra të ndryshme penale.

Policia e Shtetit ka njoftuar se në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë dhe serbë, janë kapur në Greqi dhe në Serbi dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar K. R., 30 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Shtetasi K. R. sipas policisë,  ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Tutje siç ka njoftuar Policia e Shtetit, si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Beogradin, u ekstradua nga Serbia drejt Shqipërisë, shtetasi Almario Vojoviç, 29 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’ dhe me 1 vit tjetër burgim, për veprën penale ‘’Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’’.

Shtetasi Almario Vojoviç, në vitin 2018, ka strehuar në banesën e tij dhe ka transportuar kundrejt pagesës, shtetas të huaj, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, ky shtetas ka mbajtur pa lejen përkatëse, në ambiente publike, një dorezë metalike (përforcues grushti), e klasifikuar si armë e ftohtë.