Aksioni ‘Brezovica’, arrestohet Ilir Morina, ish kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit

Është arrestuar Ilir Morina, ish kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK).

Morina është arrestuar në kuadër të aksionit të Prokurorisë në Ferizaj për rastin të njohur në publik si ‘Brezovica’.

KALLXO.com mëson se Ilir Morina është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit të rastit.

Aksioni ‘Brezovica’ ka vazhduar sot për të tretën herë me radhë, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkung Kombëtar ‘Sharri’, në zonën e Brezovicës.

Sot janë bastisur 12 lokacione në katër qytete të Kosovës, në Ferizaj janë  bastisur 5 lokacione, 1 në Lipjan, 1 në Skenderaj dhe 5 të tjera në Prishtinë.

Më 21 dhjetor, në pjesën e parë të aksionit të njohur si “Brezovica”, janë arrestuar 10 persona ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq po dyshohet se në cilësinë e Kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend zonën e Brezovicës.

Prokuroria po pretendon se ish-kryeari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”. Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës”.

Ilir Morina në qershor të vitit të kaluar kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, por që nuk ishin bërë të ditura arsyet e dorëheqjes.

Ilir Morina lirohet nga detyra e Kryeshefit të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit