Ilustrim - Foto: KALLXO.com bastisjet nga policia ne rastin Brezovica

Dosja Brezovica: Policia i troket në derë asamblistit të Vetëvendosjes

Asamblisti i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës Berat Lahu është duke u kërkuar nga policia lidhur me rastin e njohur si “Brezovica”.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se pronat e Lahut janë bastisur sot ndërsa ai nuk është hasur në banesën e tij.

Dyshimet për Lahun lidhen me pozitën paraprake që Lahu e kishte në menaxhimin e rrjetit energjetik.

KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me Lahun, pasi në media u raportua se i njëjti është arrestuar.

Ai mohoi se është kontaktuar nga organet e rendit e drejtësisë në lidhje me rastin.

 

“Jo, unë e kam parë lajmin ashtu siç e keni pa ju, nuk kam aspak informata. Unë nuk gjendem në Kosovë, nuk e di çka mundet me pas ndërtime në Brezovicë me mu unë asnjëherë skam punuar në institucione qendrore as lokale as nuk jam marrë me ndërtimtari. Është e pakuptimtë që mu ndërlidh emri jem me këtë cështje”, tha Lahu.

Lahu mohoi se i është bastisur prona e tij.

“Jo, jo banesa edhe ashtu nuk jam atje, me bashkëshorten jam në trajtim mjekësor por nuk di nëse diçka..”, shtoi ai.

Lahu pranoi se ka qenë zyrtar në KEDS.

“Nuk mundet me qenë asnjë e lidhur me ndërtime për shkak se KEDS furnizon me energji çdo konsumator që bën kërkesë dhe plotëson kriteret. Nuk mundet me pas ndonjë lidhje në atë aspekt sidomos në rastin e Brezovicës sepse ne e dimë jemi në ngjarje çka po ndodh dhe është e pakuptimtë se qysh mundet mu ndërlidh kjo s’ka kurrfarë logjike”, shtoi tutje ai.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka zhvilluar sot aksionin e tretë me radhë në lidhje me rastin “Brezovica”.

Shtatë persona janë arrestuar gjatë ditës së sotme, tre nga ta ish zyrtar të Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit hapësinor nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në zonën e Brezovicës.