Talat Xhaferi dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Foto: Talat Xhaferi/Facebook

Talat Xhaferi pranon mandatin për formimin e Qeverisë në Maqedoni të Veriut

Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e ka pranuar mandatin për formimin e Qeverisë nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski.

Xhaferi ka thënë se edhe nga pozita e kryeministrit do të vazhdojë të punojë me përkushtim ndaj qytetarëve.

“Me krenari dhe nder të veçantë e pranova Mandatin për formimin e Qeverisë. Edhe nga pozita e Kryeministrit do të vazhdoj të punoj me përkushtim, me përgjegjësi dhe transparencë, duke i pasur gjithmonë parasysh mirëqenien, përparimin dhe përfitimet e qytetarëve dhe shtetit” – ka shkruar Xhaferi, në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa, gjatë ditës Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me 65 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim e ka zgjedhur pasardhësin e Xhaferit, Jovan Mitreski.

Xhaferi ia ka uruar këtë pozitë Mitreskit.

“Sot, me 64 vota për, 40 kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi e zgjodhi Kryetarin e ri – Jovan Mitreski. Jovanit, kolegut tim shumëvjeçar ia uroj sinqerisht zgjedhjen dhe i dëshiroj mandat të suksesshëm si Kryetar i Kuvendit” – ka thënë Xhaferi.

Më 25 janar, Xhaferi e kishte dorëzuar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të Kuvendit. Ai do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.