Amfiteatri i Biblotekës Kombëtare të Kosovës, Foto: KALLXO.com, datë 04.06.2024.

Takim me kompanitë e ndërtimtarisë, asnjë përfaqësues i kompanive nuk erdhi në takimin e thirrur nga Inspektorati i Punës

Inspektorati i Punës kishte paraparë të mbante takim me punëdhënësit e sektorit të ndërtimtarisë me qëllim të vetëdijësimit lidhur me legjislacionin e punës dhe  sigurinë e shëndetin në punë. Takimi i planifikuar në kuadër të fushatës “Bashkëbisedim për vetëdijesim” nuk arriti të realizohej për shkak se asnjë punëdhënës nga sektori i ndërtimtarisë nuk u paraqit në takim, i cili parashihej të mbahej në amfiteatrin e Biblotekës Kombëtare të Kosovës.

Për takimin që ishte planifikuar të mbahej më 04.06.2024, me fillim nga ora 10:00, kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, ka thënë se ftesat për punëdhënësit janë bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës.

KALLXO ka tentuar të marrë një përgjigjje nga Oda Ekonomike e Kosovës përmes emailit dhe telefonit në lidhje me mosprezencën e të ftuarëve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Sipas Inspektoratit të Punës, qëllimi i kësaj fushatës “Bashkëbisedim për vetedijësim” është  forcimi i dialogut social dhe informimi i punëdhënësve për sfidat që ata mund të kenë për zbatimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë.

“Përmes kësaj fushte synohet që punëdhënësit të informohen në detaje me të drejtat e punëtorëve dhe të tyre/punëdhënësve nga marrëdhënia e punës si dhe siguria dhe shëndeti në punë. Kjo fushatë vetëdijësuese është e mbështur nga GIZ” – ka thënë Nikçi për KALLXO.com më 04.06.2024.

“Fatkeqësisht, sot nuk u paraqit asnjë punëdhënës në këtë ngjarje. Sidoqoftë, IQP në javët në vazhdim do të bëjë përpjekje për të vazhduar me fushatën vetëdijësuese në fjalë “ – ka shtuar tutje Nikçi më 04.06.2024.

Përveç sektorit të ndërtimtarisë, kjo fushatë do të vazhdojë të realizohet në vazhdim edhe me punëdhënësit e sektorëve të tjerë.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga BIRN në vitin 2023, kushtet e punës dhe mbrojtja ligjore për punëtorët vazhdojnë të jenë sfida serioze për tregun e punës në Kosovë. Si rrjedhojë, vendi përballet me numër të madh të aksidenteve në punë dhe nivel të ulët të respektimit të rregullave të punës.

Të dhënat e Inspektoratit të Punës tregojnë se nga viti 2016 deri në qershor të vitit 2023 kanë ndodhur 1 mijë e 72 aksidente, në të cilat kanë vdekur 102 punëtorë.