Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Në prag të 16-vjetorit të pavarësisë, po marrim kërcënime për shkëputje të partneritetit me SHBA-në

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian dhe “kërcënimet” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkëputje të raporteve.

Ai ka thënë se 16 vite me parë askush nuk do ta besonte që Kosova në prag të 16 vjetorit të Pavarësisë do të ndodhej në këtë situatë.

“Jemi në prag të shënimit të 16-vjetorit të pavarësisë së vendit tonë. Kush do ta kishte menduar 16 vite më parë që në 16-vjetorin e pavarësisë, Kosova do të jetë vendi i sanksionuar nga BE. Kush do ta kishte menduar që në prag të 16-vjetorit do të marrim kërcënime më të ashpra për shkëputje të partneritetit tonë me SHBA-në. Kjo është e papranueshme. Ata janë duke kërcënuar direkt qeverinë për shkëputje të partneritetit, por jo shtetin dhe qytetarët e Kosovës”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se si opozitë duhet të angazhohen për t’ia shkurtuar jetën Qeverisë Kurti.

“Ne si opozitë duhet të marrim përgjegjësitë tona dhe duhet të angazhohemi që të shkurtojmë jetën kësaj qeverie. Asnjëherë përvjetor me të zbehtë të pavarësisë nuk kemi pasë. Deri në 2018 në çdo përvjetor të pavarësisë kemi pas delegacione nga Amerika për të festuar me ne kremten e pavarësisë. Prej kur keni ardh në pushtet asnjë delegacion nuk ka ardh”- ka thënë ai gjatë seancës së Kuvendit.

Ndërsa tutje ka shtuar se për arsyet e lartpërmendura që nuk ka kuptim votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në rend të ditës për shkak.

Ditëve të fundit, Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdoret si mjet pagese.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit së voni tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.