Takimi Sveçla- Yerlikaya. Foto: Facebook/Xhelal Sveçla.
Sveçla takoi homologun e tij turk
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka takuar sot në Ankara të Turqisë, homologun e tij turk, Ali Yerlikaya.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Sveçla ka thënë se me homologun turk kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të teknologjisë.
“Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e përgjatë gjithë procesit të shtetndërtimit ka gëzuar përkrahjen e Republikës së Turqisë e veçanërisht në fushën e sigurisë përmes ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe atyre teknike. Në këtë takim, shpreha mirënjohjen për marrëdhënien e shkëlqyeshme si dhe diskutuam sfidat aktuale dhe mundësitë e reja për thellimin e bashkëpunimit, me theks në fushën e sigurisë dhe teknologjisë në të cilat Turqia ka shënuar arritje mbresëlënëse”- ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka thënë se nga ministri turk ka kërkuar shtrirjen edhe në ekspertizat specifike që do të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës.