
Sveçla takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës për Migrim në Bruksel, temë kryesore çështja e vizave
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim Drejtorin e Zyrës për Migrim në Belgjikë, Freddy Roosemont dhe Ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier.
Në këtë takim është diskutuar rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës që hyn në fuqi nga data 1 janar 2024.
“z.Roosemont përgëzoi qytetarët e Republikës së Kosovës që nga data 1 janar do të lëvizin pa viza drejt Belgjikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian dhe theksoi që kjo do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik dhe thellim të lidhjeve mes shteteve dhe qytetarëve”- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sveçla gjatë takimit ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës për Migrim në Bruksel për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Belgjikës për Republikën e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.
“Ministri Sveçla dhe z. Roosemont biseduan edhe për sfidën e menaxhimit të migrimit të parregullt me ç’rast Ministri njoftoi delegacionin që institucionet e Republikës së Kosovës janë të angazhuara maksimalisht në luftimin e këtij fenomeni duke përfshirë edhe rregullativën ligjore për menaxhimin me migrantë” – vazhdon komunikata e MPB-së.
Qytetarët që kanë pasaporta të Kosovës se duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër.
Sipas njoftimit të ambasadës gjermane, udhëtimi pa viza nuk mundëson të punoni në Zonën Shengen.