Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla deklarohet për dyshimet e gjuajtjes me koktej molotovi në drejtim të një shtëpie në Graçanicë

Të dielën në mbrëmje është gjuajtur me shishe me substancë të lëngshme që dyshohet se është koktej molotovi në drejtim të një shtëpie në Kishnicë të Graçanicës.

Për këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se është i informuar dhe se Policia do të marrë masat e nevojshme që këto raste të parandalohen.

“Sa i përket incidentit në Kishnicë, jemi të informuar dhe patjetër Policia e Kosovës duke qenë se është e obliguar të garantojë siguri për të gjithë qytetarët e saj, ndërmerr masat e nevojshme që këto raste të parandalohen, e në rastet kur ndodhin të zbulohen dhe kriminelët të sillen drejtësisë”- ka deklaruar Sveçla.


Sveçla gjithashtu ka treguar se me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kanë diskutuar për çështjet e ditëve e orëve të fundit.

“Me komandantin e KFOR-it por edhe me të gjithë përgjegjësit e institucioneve të sigurisë jemi në kontakt të vazhdueshëm. Jemi duke diskutuar çështjet që janë ngritur ditëve të fundit, orëve të fundit dhe do të vazhdojmë me këto takime që veprimet tona të jenë të koordinuara”- ka deklaruar Sveçla.

Sa i përket numrit të policëve shqiptar në veri, ministri Sveçla nuk dha ndonjë shifër konkrete.

“Ato janë çështje operacionale të Policisë së Kosovës për të cilat ata mund të ju njoftojnë, por është e rëndësishme që Policia është angazhuar me të gjitha kapacitetet e nevojshme të garantojë rend dhe ligj në çdo cep”- tha Sveçla.