Fusha e futbollit e boshatisur në ndeshjen mes Belgjikës dhe Suedisë. FOTO: KALLXO.com

Sulmi vrasës në Bruksel, për shkaqe sigurie ndërpritet ndeshja Belgjika-Suedia

Dy persona janë vrarë me armë zjarri sonte në qendër të Brukselit, një incident të cilin autoritetet belge po e konsiderojnë si sulm terrorist.

Për shkak të këtij rasti është ndërprerë ndeshja mes Belgjikës dhe Suedisë, e vlefshme për kualifikimet për kampionatin “Euro 2024”.

Ndeshja po luhej rreth pesë kilometra larg vendit të ngjarjes, por ajo është ndërprerë meqë sulmuesi ende është në arrati.

Fusha e futbollit e boshatisur në ndeshjen mes Belgjikës dhe Suedisë. FOTO: KALLXO.comSipas një postimi të kryeministrit belg, Alexander de Croo, viktimat janë shtetas suedezë.

“Sapo i kam shprehur ngushëllimet e mia të sinqerta kryeministrit suedez pas sulmit të tmerrshëm të mbrëmjes së sotme ndaj qytetarëve suedezë në Bruksel. Mendimet tona janë me familjet dhe miqtë që humbën të dashurit e tyre” – ka shkruar në platformën “X” (ish-Twitter) kryeministri belg.