Sulmet në Izrael, Edi Rama: Dënojmë me forcë autorët, Shqipëria qëndron me Izraelin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas sulmeve në Izrael të premten, ku mbetën vrarë tre persona dhe të paktën shtatë të tjerë të plagosur.
Rama ka thënë se dënon autorët e kësaj ngjarje, teksa shtoi se Shqipëria qëndron e vendosur me Izraelin.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga sulmet pa dallim ndaj Izraelit që kanë rezultuar në humbje jetësh dhe dënojmë me forcë autorët dhe mbështetësit e tyre. Shqipëria qëndron e vendosur me Izraelin dhe të gjithë fqinjët e tij myslimanë që kanë zgjedhur rrugën e paqes dhe bashkëpunimit”- ka shkruar Rama në Twitter.

Tensionet mbeten të larta pas disa ditë luftimesh në vendin e shenjtë të Jerusalemit. Gjatë ditës së djeshme, sulmet hakmarrëse ajrore izraelite goditën Libanin dhe Rripin e Gazës, duke shkaktuar frikë për një konflikt më të gjerë.

Autoritetet izraelite thonë se të paktën një person u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një sulm të dyshuar të premten vonë në Tel Aviv, qendra tregtare e Izraelit. Ndërkohë dy motra izraelite u vranë në një sulm palestinez me armë zjarri pranë një vendbanimi në Bregun Perëndimor. Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për asnjërin nga sulmet.

Izraeli nisi sulme në Libanin jugor mëngjesin e djeshëm dhe vazhdoi goditjen e objektivave në Rripin e Gazës, duke përshkallëzuar situatën pas shpërthimit të dhunës në pjesën më të ndjeshme të Jerusalemit, afër xhamisë Al Aksa.

Kreu i forcës paqeruajtëse të OKB-së në Liban tha se ishte në kontakt me autoritetet izraelite dhe libaneze dhe se të dyja palët kanë thënë se nuk duan luftë.

Dhuna filloi të mërkurën pasi policia izraelite bastisi dy herë Xhaminë Al-Aksa në qytetin e vjetër të Jerusalemit. Xhamia, vendi i tretë më i shenjtë në Islam qëndron në një majë kodre të nderuar nga hebrenjtë si Mali i Tempullit, vendi më i shenjtë në judaizëm.

Pretendimet e të dyja grupeve ndaj zonës kanë qenë shkaktar të rregullt të dhunës përgjatë viteve.

Përshkallëzohet situata në Izrael