Kurti: Unë jam student i Demaçit ndërsa presidenti Vuçiq është student i Sheshelit

Kryeministri Albin Kurti në intervistën e tij për televizionin N1 të Bosnjes, ka thënë se është student politik i Adem Demaçit ndërsa presidenti i Serbisë Vuçiq është student politik i Vojisllav Sheshelit.

Sipas Kurtit, dialogut duhet t’i japin shancë por, sipas tij, këto janë dy vizionet e ballafaqimit dhe përplasjes e tyre.

“Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë sot, është student politik i Vojisllav Sheshelit. Ndërsa unë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam student politik i Adem Demaçit. Dhe ky ballafaqim, kjo përplasje ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, është në një mënyrë thelbësore, përplasje ndërmjet Adem Demaçit, atij vizioni dhe asaj trashëgimie dhe Vojisllav Sheshelit në anën tjetër.

“Andaj unë e pranoj që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë e lehtë, por megjithatë mendoj që duhet t’i jepet shancë dialogut dhe të shpresojmë e të punojmë për më mirë” – ka thënë Kurti në një pjesë të intervistes e cila është shkëputur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Ai është quajtur “Nelson Mandela” e Europës.

Vojsllav Sheshel është lideri i partisë djathtiste në Serbi, Partisë Radikale Serbe.

Sheshel më 2018 ishte dënuar me 10 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për nxitje të persekutimit, dëbimit, zhvendosjes, zhvendosjes me forcë të kroatëve në fshatin Hërtkovci më 1992.

Serbia ende refuzon që të ekstradojë ata, duke argumentuar se sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Beogradit, nuk janë plotësuar kushtet për ekstradimin e këtyre personave. Kjo gjykatë, më 2016, tha se nuk ka baza ligjore për arrestimin dhe ekstradimin e anëtarëve të Partisë Radikale Serbe, sepse ligji vendor për bashkëpunim me gjykatën e Hagës parashikon se vetëm personat e akuzuar për krime lufte mund të ekstradohen dhe jo ata që akuzohen për minim të gjykatës.