Studentët e Mjekësisë: Situata me COVID-19 arsye pse qeveritë duhet t'i japin prioritet shëndetësisë

Studentët e Mjekësisë po e vlerësojnë shumë të mirë menaxhimin e pandemisë nga punëtorët dhe institucionet shëndetësore të Kosovës.

Sipas tyre, lufta e personelit mjekësor kundër coronavirusit dhe menaxhimi i situatës kanë vënë në pah se sa e rëndësishme është mjekësia. Prandaj, thonë ata, mjekësisë duhet t’i jepet prioritet nga secila qeveri, si për krijimin e infrastrukturës ashtu edhe për punësimin dhe paga të dinjitetshme për mantelbardhët.

KALLXO.com ka biseduar me disa studentë të Mjekësisë nga qendra të ndryshme të Kosovës.

Ilirjana Alijaj, studente në Fakultetin e Mjekësisë, dega Mami, në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, e cila në të njejtën kohë punon si infermiere, thotë se për ta tejkaluar situatën me sa më pak pasoja, përveç personelit shëndetësor edhe qytetarët duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe bashkëpunues.

“Puna që ne e bëjmë është punë e vështirë dhe me përgjegjësi të madhe. E edhe më e vështirë bëhet nga papërgjegjësia e qytetarëve, të cilët me sjelljet e tyre ua vështirësojnë punën profesionistëve shëndetësorë, të cilët janë ushtarët kryesorë të luftës kundër pandemisë”, tha Alijaj.

Lidhur me menaxhimin e situatës, ajo vlerëson se është menaxhuar mirë, ndonëse thotë se masat parandaluese do të duhej të merreshin më herët.

“Situata tani është duke u menaxhuar mjaft mirë sa i përket menaxhimit shëndetësor. Por, duke e marre parasysh që jemi shteti që në fund jemi prekur prej pandemisë masat parandaluse kanë qenë të nevojshme të aplikohen më herët”, potencoi studentja.

Arlind Bajrami, student i Stomatologjisë në kolegjin “Rezonanca” në Prishtinë vlerëson se Kosova më shumë ka pasur mangësi në menaxhimin e mjekësisë sesa mungesë të mjekëve.

Ai shpreson që kjo pandemi do të bëjë të shohim se sa e rëndësishme është mjekësia.

“Mjekësia në vendin tonë ka mangësi më shumë për një menaxhim të mirë, sesa për mjekë. Mjekësia është lënë anash tek ne si të ishtë një hiçgjë. Ndoshta kjo pandemi na bëri të shohim se ku ishte mjekësia jonë tërë këto vite dhe se sa e rëndësishmë është”, pohoi Arlind Bajrami.

Ndërsa, menaxhimin e pandemisë e ka konsideruar si më të mirin nga shumë vende të tjera në botë.

“Sa i përketë menaxhimit të COVID-19, mendoj që jemi duke e bërë më mirë se shumë vende të mëdha në botë dhe besoj në Ministrinë e Shëndetësisë që do ia del më së miri”, shtoi ai.

Aulonë Mehmeti, studente e Logopedisë në kolegjin “Heimerer”, në Prishtinë, shprehet se krahas kushteve jo të mira në shëndetësi, mjekët po japin maksimumin e tyre dhe po rezultojnë të suksesshëm.

“Për fat të keq, kemi mungesë të kushteve në shëndetësi, por krahas kësaj, mjekët po kanë sukses dhe janë të kualifikuar që të japin maksimumin e tyre”, shprehet ajo.

Ajo vlerëson se menaxhimi i pandemisë nga institucionet është shumë i mirë, duke theksuar se duhet reduktuar lëvizjet e qytetarëve.

Gentian Mehmeti, student i Mjekësisë së Përgjithshme, në Tiranë, thotë se do të duhej të bëheshin më shumë teste në mënyrë që vatra e infeksionit të zbulohej më shpejt.

“Unë do të doja që të bëheshin teste sa më shumë, sepse nuk janë bërë mjaftueshëm. Nëse bëhen teste më shumë automatikisht zbulohen vatrat e virusit dhe ndalet përhapja e virusit nga njerëzit që nuk kanë simptoma dhe mund të jenë shumë të rrezikshëm në përhapjen e COVID- 19”, tha Mehmeti.

Ai thotë se situata e krijuar me pandeminë do të duhej të ishte një alarm për qeverinë që shëndetësia të jetë prioritet.

“Shëndetësia duhet të jetë prioritet kryesor i çdo qeverie, sepse aty varet shëndeti i çdo qytetari të këtij vendi”, potencoi ai.

Për, Elira Sadikun, studente e Mjekësisë së Përgjithshme në UP, menaxhimi i situatës së krijuar nga coronavirusi është duke u bërë relativisht mirë.

Sipas saj, ajo që po mungon është bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet.

“Mendoj që situata e COVID- 19 është duke u menaxhuar relativisht mirë nga ana e institucioneve shëndetësore. Ajo që po mungonë është bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet”, shprehet ajo.

Edhe Vera Luzha, studente e Mjekësisë së Përgjithshme në UP, thotë se menaxhimi i stituatës është bërë mirë.

“Kosovë është duke u menaxhuar relativisht mirë dhe vendimet rreth karantinimit janë marrë me kohë”, është përgjigjur ajo.