Sqarohet forografia: Rita Ora ishte në finalen e Kupës së Botës në ragbi me bashkëshortin e saj

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora është parë duke u shoqëruar me tenistin serb, Novak Gjokoviq.

Ajo në disa sekuenca të ndara që janë publikuar në rrjete sociale është parë nën shoqërinë e Gjokoviq por në disa pamje të tjera që u publikuan ndë vazhdim, Ora u pa se kishte shkuar në Paris në “Kupën e Botës në Ragbi” me bashkëshortin e saj, Taika Waititi.

Ata ishin ulur dhe po shikonin ndeshjen finale në ragbi për Kupën e Botës një rresht më poshtë se Gjokoviq.

Të dy janë parë duke biseduar në ulëset e publikut në finalen e kupës botërore të ragbit, e cila po mbahet në kryeqytetin francez, në Paris.


Gjokoviq në maj të këtij viti kishte shkruar frazën “Kosova është zemra e Serbisë” në ekranin e një kamere, pas një fitoreje të tij në turneun e madh të tenisit “French Open”.

Ai kishte përdorur nënshkrimin e zakonshëm të kamerës pas ndeshjes për të shkruar mesazhin: “Kosova është [simboli i zemrës] Serbi. Ndaloni dhunën”.

Këtë koment, tenisti serb e kishte bërë gjatë kohës që në veri të vendit qytetarët serbë të Kosovës po protestonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore me shumicë serbe. Protestat e tyre kanë qenë të dhunshme. Protestuesit kishin sulmuar dhjetëra gazetarë e kishin lënduar shumë ushtarë të KFOR-it.

Ndërkaq Rita Ora, në gusht kishte kënduar duke mbajtur flamurin serb në shpinë, gjatë një koncerti në Hungari. Ajo ishte arsyetuar që flamuri i ishte dhënë nga një fans dhe se nuk e ka ditur se cilit shtet I përket.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte dekoruar yllin botëror të muzikës me titullin Ambasadore e Nderit e Kosovës.

Ora ka folur me krenari për prejardhjen e saj shqiptare shumë herë. Në njërën prej klipeve të saj, ajo ishte shfaqur me veshje kombëtare shqiptare.

Shënim: Artikulli dhe titulli është plotësuar edhe me detaje shtesë, Rita Ora u pa nën shoqërimin e bashkëshortit të saj Taika Waititi, të cilët ishin në Paris në finalen e “Kupës së Botës në Ragbi”.