Foto:Screenshot

The Guardian: Novak Gjokoviq shkakton polemika në French Open përmes një mesazhi politik

Tenisti serb Novak Gjokoviq ka provokuar një përplasje të mundshme politike pasi shkroi frazën “Kosova është zemra e Serbisë” në ekranin e një kamere, ndërkohë që bëri thirrje për paqe pas fitores së tij 6-3, 6-2, 7-6 (1) kundër amerikanit Aleksandar Kovaçeviq të hënën.

Gjokoviq përdori nënshkrimin e zakonshëm të kamerës pas ndeshjes për të shkruar mesazhin: “Kosova është [simboli i zemrës] Serbi. Ndaloni dhunën”. Më vonë të hënën, Gjokoviq ripostoi një foto të mesazhit të tij në historinë e tij në Instagram.

Komentet e Gjokoviqit i referoheshin trazirave dhe dhunës së fundit në Kosovë pas zgjedhjeve lokale në prill. Serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në veri të Kosovës dhe ende e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre. Pasi ata refuzuan të merrnin pjesë në zgjedhjet lokale, grupet e serbëve etnikë në veri të Kosovës u përleshën me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO.

Në konferencën e tij për media pas ndeshjes me mediat serbe, Gjokoviq deklaroi “Unë nuk jam politikan dhe nuk kam ndërmend të futem në debat politik. Kjo temë është shumë e ndjeshme. Si serb, gjithçka që po ndodh në Kosovë është e dhimbshme për mua”.

“Kjo është më e pakta që mund të kisha bërë. Ndjej përgjegjësinë si personazh publik – nuk ka rëndësi në cilën fushë – të jap mbështetje. Sidomos si bir i një njeriu të lindur në Kosovë, e ndjej nevojën t’u jap mbështetjen time atyre dhe Serbisë. Nuk e di se çfarë sjell e ardhmja për popullin serb dhe për Kosovën, por është e nevojshme të tregohet mbështetje dhe të demonstrohet unitet në këto lloj situatash”.

Gjokoviq tha se organizatorët e turneut nuk i ishin afruar pas kishte shkruar mesazhin. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë – kam dëgjuar se ka pasur shumë kundërshtime në mediat sociale – nëse do të ndëshkohem… Nuk po përmbahem, do ta bëja përsëri”.

“Qëndrimi im është i qartë: Jam kundër luftërave, dhunës dhe çdo lloj konflikti, siç e kam deklaruar gjithmonë publikisht. Unë bashkëndjej me të gjithë njerëzit, por situata me Kosovën është një precedent në të drejtën ndërkombëtare… Më vjen shumë keq për situatën në të cilën ndodhemi – Kosova është vatra, kalaja jonë, manastiret tona më të rëndësishme janë atje”, ka deklaruar tenisti  serb, Gjokoviq./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala