QKUK

Sqarohet Drejtoria e SHSKUK-së për terminet në Ambulancat Specialistike

Drejtoria e SHSKUK-së ka dhënë sqarime lidhur me pritjet për termine në Ambulancat Specialistike, duke thënë se terminet janë të obligueshme dhe se rastet urgjente drejtohen në Klinikën Emergjente.

Përveç rasteve ortopedike ku pacientët mund të kontrollohen edhe pa termine, pasi që sipas drejtorisë ato janë raste më specifike, për kontrollet e tjera duhet lënë termine.

“Sa i përket objektit të ambulancave specialistike, pacientët kontrollohen bazuar në terminet që kanë caktuar paraprakisht, sikurse ndodhë në të gjitha institucionet shëndetësore kudo bë botë. Kur rasti është urgjent, apo emergjent drejtohet direkt në Klinikën Emergjente”- thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për KALLXO.com.

Ardhja e pacientëve pa termine dhe me shoqërues krijon tollovi, thuhet tutje në përgjigjet e SHSKUK-së.

Pritjet javore të pacientëve për të caktuar termine në Ambulancat Specialistike, janë konfirmuar edhe dje nga vetë stafi gjatë një vizite të ekipit të KALLXO.com.

Pritje me javë për kontrolle në Ambulancat Specialistike në QKUK

Në dy video të ndryshme punëtorët thonë se nuk ka termine të lira deri më 4 nëntor për të kontrolluar lukthin te gastroenterologu dhe deri pas një jave për të kontrolluar gjëndrat tiroide te endokrinologu.

Përvojat e tyre të pritjes për të kryer kontrolle janë rrëfyer edhe nga disa qytetarë, të cilët kanë thënë për KALLXO.com që kanë pritur deri në 2-3 javë.