Specializantët protestojnë për mospagesën e kujdestarive: Prej muajit shkurt nuk kemi marrë asnjë cent

Një grup i specializantëve kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë duke shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me mospagesën e kujdestarive prej muajit shkurt.

Ndërsa, kanë thënë se një tjetër arsye e protestës është edhe për të kundërshtuar detyrimin për të paguar vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit.

Përfaqësuesi i specializantëve, Arianit Zajmi ka thënë se kërkesat e tyre janë shtuar për shkak të këtij vendimi të Ministrisë.

“Në bazë të një vendimi që është marrë në qershor të këtij viti specializantët detyrohen më pagu 500 euro për vit për shkollim specialistik. Për një shkollim pesë vjeçar detyrohemi me pagu 2 mijë e 500 euro. Prej muajit shkurt specializantët nga kategoria me subvencione nuk e kanë marrë asnjë cent për kujdestaritë që kanë mbajtur” – tha Zajmi.

Ndërsa, ka shtuar se specializantëve të rregullte janë duke u paguar kujdestaritë në kundërshtim me ligjin e pagave.

Ai tutje ka thënë se do të protestojnë deri ditën e premte, ndërsa ka paralajmëruar se do të marrin masa të tjera nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

“Ministria është në borxh me këta specializantët dhe do të jetë në borxh me mijëra euro”- tha ai.

Specializanti në Klinkën e Psikiatrisë, Nysret Agani tha se Ministria duhet ta rishikoj legjislaturën për të rregulluar këtë çështje.

“Problemi financiar duhet të jetë fokus sepse presioni është të anëtarët e familjes që nuk kanë të ardhura tjera, sepse nuk kemi të ardhura tjera përveç subvencioneve apo kujdestarisë” – tha ai.

Specializantja Pranvera Bytyçi tha se këto kujdestari janë 24 orëshe.

“Nuk jemi duke lyp diçka më shumë sesa na takon. Ne fillojmë punën në 7 të mëngjesit dhe e përfundojmë ditën në ora 7 të mëngjesit tjetër. Është kujdestari 24 orëshe që paguhet me zero euro”- tha ajo.

Specializantët me vetëfinancim mes vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ish-ministrit Zemaj