Ilustrim

Specializantët paralajmërojnë protestë nëse nuk ndahet buxhet për ta

Specializantët me vetëfinancim, të cilët filluan specializimin vitin e kaluar, kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ndajë buxhet të veçantë për ta, ose në të kundërtën do të ndërmarrin masa protestuese.

Sipas burimeve të KALLXO.com, specializantët me vetëfinancim, fillimisht do të mbajnë një takim të martën e javës së ardhshme, në mënyrë që të koordinohen për protestën, të cilën ata e quajnë, masive.

Rreth 600 specializantë me vetëfinancim, planifikojnë të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë duke qëndruar për disa ditë me radhë në tenda.

KALLXO.com po ashtu merre vesh se tash e një kohë të gjatë specializantët ankesën e tyre e kanë adresuar edhe tek krerët më të lartë të shtetit, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se pagesat për specializantët me vetëfinancim, do të bëhen përmes subvencionit të buxhetit, për të cilën janë ndarë 2.8 milionë euro.

Pas katër viteve pauzë, në korrik të vitit të kaluar pati filluar shkollimi për specializim edhe i rreth 1,600 mjekëve në nivel vendi që u pranuam në konkursin e hapur.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, në shtatë spitalet rajonale në vend janë 661 mjekë specialistë.

661 mjekë specialistë në Kosovë, që nga viti 2017 nuk janë bërë specializime