Spanja merr kryesimin gjashtëmujor të presidencës së BE-së

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u takuan të dielën në Madrid për t’i diskutuar prioritetet e Presidencës gjashtëmujore të Spanjës të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Prioritetet përfshijnë ri-industrializimin e BE-së dhe garantimin e autonomisë së saj të hapur strategjike, përparimin në tranzicionin ekologjik dhe përshtatjen mjedisore, promovimin e një drejtësie më të madhe sociale dhe ekonomike dhe forcimin e unitetit evropian.

Pedro Sanchez e priti Charles Michel në Pallatin La Moncloa një ditë pas udhëtimit të tij në Kiev, ku takoi presidentin ukrainas Volodimir Zelenskyy dhe përsëriti angazhimin e tij për ta mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa duhet” dhe “pavarësisht nga çmimi që duhet paguar”.

Përveç Ukrainës, Spanja shpreson të arrijë progres edhe në disa çështje kryesore të BE-së gjatë presidencës së saj, duke përfshirë atë që BE ta finalizojë një pakt të diskutueshëm mbi migracionin, pavarësisht dallimeve të vazhdueshme brenda grupit 27-anëtarësh.

Spanja thotë gjithashtu se zgjedhjet e saj të parakohshme këtë muaj nuk do ta prishin kthesën presidenciale të Spanjës.

Çështja e migracionit dhe kërcënimi i së djathtës ekstreme

Në fillim të këtij muaji, vendet e BE-së panë një përparim në reformën e ligjit të azilit, duke nënshkruar një marrëveshje mbi një plan për ta ndarë përgjegjësinë për migrantët që hyjnë në Evropë pa autorizim.

Vetëm Polonia dhe Hungaria votuan kundër.

Ligjvënësit e BE-së kanë paralajmëruar se ky mund të jetë shansi i fundit për ta zgjidhur çështjen përpara zgjedhjeve në mbarë BE-në, pas një viti kur migrimi ka të ngjarë të jetë sërish një çështje e nxehtë.

Presidenca e rradhës vjen ndërkohë që Spanja përballet me zgjedhje të përgjithshme të parakohshme më 23 korrik. Sondazhet e deritanishme tregojnë se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund ta rrëzojë qeverinë e koalicionit të majtë të Sanchez dhe ta zëvendësojnë atë me një administratë konservatore, apo edhe një koalicion me të djathtën ekstreme duke e ndjekur, kësisoj, një prirje që po ndodh në pjesën më të madhe të Evropës./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala