Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë Qershor 2022, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Pas shkarkimit të rektorit, Universiteti i Gjakovës në pritje të një interpretimi ligjor për hapat e radhës

Artan Nimani është shkarkuar dje nga pozita e rektorit të Universitetit të Gjakovës (UGJ) “Fehmi Agani”.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka kontaktuar Këshillin Drejtues të këtij universiteti për të marrë një përgjigje në lidhje me hapjen e konkursit për pozitën e re të rektorit të UGJ-së dhe emërimin e ushtruesit të detyrë së kësaj pozite.

Agon Haxhikadrija, kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës ka thënë për KALLXO.com se është duke u shqyrtuar aspekti juridik lidhur me atë se kur pritet të shpallen zgjedhjet për pozitën e rektorit apo rektores së re në këtë universitet.

“Jemi në diskutime se zgjedhjet fillojnë në pranverë të vitit të ardhshëm edhe jemi duke e shqyrtuar aspektin juridik, ushtrues i detyrës a ka me qenë për periudhën e mbetur apo duhet menjëherë me i shpallë zgjedhjet e parakohshme. Pra, çështja është te kjo pjesa se si ka me vazhdu mandati i mbetur”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Momentalisht edhe pozita për ushtruesin e detyrës së rektorit në UGJ ka mbetur bosh.

“Pika tjetër është mbledhjen e radhës e kemi tani për ta caktuar një ushtrues/e të detyrës së rektorit sepse për momentin nuk ka. Pozita është vakante edhe vazhdojmë tani menjëherë me zgjedhjet transparente të rektorit apo rektores së re në universitet”- është përgjigjur Haxhikadrija duke theksuar se pritet që sa më shpejtë të zgjedhet një ushtrues detyre për këtë pozitë.

“Sa më shpejtë. Besoj ose këtë javë ose javën tjetër. Sa të marrim interpretim ligjor se a kemi për të zgjedhur vetëm ushtrues detyre apo kemi për të zgjedhur ushtrues detyre dhe m`i shpallë menjëherë zgjedhjet e parakohshme jemi në këtë diskutim”- ka vijuar ai.

Sipas tij, ende nuk ka një emër konkret lidhur me pozitën e ushtruesit të detyrës së rektorit.

“Jo, emër nuk ka por ka opsione për me dalë nga kjo situatë…”- ka qenë përgjigja e kryesuesit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës.

Sipas arsyeve të publikuara dje nga Këshillit Drejtues i Universitetit të Gjakovës, Nimani ka dështuar të krijojë ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për mbarëvajtje të procesit mësimor si pasojë e minimizimit dhe mosndëshkimit të rasteve të dhunës (rrahje, shantazhe, kërcënime), “të cilat janë shpeshtuar në ambientet e universitetit”.

Artan Nimani u zgjodh rektor i Universitetit të Gjakovës me 12 korrik të 2019-tës.