Nagavci: Nxënësit do të kenë edhe pushim vjeshtor

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci ka mbajtur konferencë për media për të prezantuar disa nga punët e përfunduara që nga korriku.

Mirëpo në konferencë u fol edhe për vitin e ri shkollor ku Nagavci njoftoi se viti i ri shkollor 2023/2024 do të fillojë më 1 shtator, dhe se nxënësit do të kenë edhe pushim vjeshtor.

“Viti shkollor 2023/2024 fillon me 1 shtator, risi gjatë këtij viti është se do të kemi edhe pushimin vjeshtor në mënyrë që të kemi një balancim në mes të ngarkesës së fëmijëve gjatë gjithë vitit shkollor”

Nagavci përmendi mësimin dual për të cilin tha se në vitin shkollor 2023-2024 ky mësim po zgjerohet me 8 profile të reja duke e konsideruar këtë gjë si hap të rëndësishëm për lidhjen e arsimit me tregun e punës.

ÇështjA tjetër që u përmend nga e para e MASHTI-t ishte sinteza vokale për të cilën Nagavci tha se për herë të parë po realizohet në gjuhën shqipe.

“Sinteza vokale është tejet e rëndësishme për fëmijët dhe nxënësit e verbër meqenëse u mundëson atyre konvertimin e shkrimit në gjuhën e folur, duke zvogëluar kështu barrierat… e kemi të hapur tenderin për furnizim me pajisje për krijimin e sintezës vokale në gjuhën shqipe për arsimin special dhe i njëjti do të jetë i hapur deri më 13 shtator 2023”.

Në konferencë Nagavci u pyet në lidhje me reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës të cilët kanë kërkuar nga MASHTI që sa më parë të nis procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e komunave të Kosovës.

“Kjo vonesë tepër e panevojshme mund të shkaktoj probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor” – është thënë në reagimin e këtij Asociacioni.

Ndërkaq, Nagavci u përgjigj duke thënë se ky proces përballet me shumë sfida.

“Gjithsesi për ne është tejet e rëndësishme që jo vetëm t’i përcjellim tekstet shkollore nëpër shkolla por të dërgojmë tekste cilësore. Në fund të kësaj jave do të njoftojmë për të gjithë procesin dhe ndryshimet që po planifikohen këtë vit në lidhje me furnizimin e fëmijëve me tekste shkollore”- u përgjigj ministrja.

Gjithashtu Nagavcit iu shtruan pyetje edhe për Universitetin e Mitrovicës dhe atë të Gjakovës, të cilët kanë mbetur pa rektorë.

Nagavci tha se në Universitetin e Mitrovicës për arsye të cilat janë raportuar si të bazuara kanë marrë vendim për pezullimin zgjedhjes së rektorit.

“Aty çfarë ka ndodhur është që mbledhja për intervistimin e kandidatëve që kanë aplikuar jo nga ana  e kryesuesit as nga ana e zëvendës kryesuesit se si është e përcaktuar edhe me rregullore edhe me statut por është bërë vetëm nga ana e anëtarëve të zgjedhur nga senati, gjegjësisht nga vet universiteti”-shpjegoi Nagavci.

“Për mua vazhdon të mbetet e pabesueshme lehtësia me të cilën individë të caktuar që kanë marrë përgjegjësi  në kuadër të institucioneve të arsimit të lartë janë në gjendje që të marrin vendime jo ligjore për të favorizuar grupe të caktuara dhe e njëjta nuk duhet të lejohet. Është në shqyrtim, së fundi domethënë nuk kam ndonjë informatë të fundit por gjithsesi shumë shpejtë do të merret vendimi edhe do të kthehet përgjigja” – shtoi ajo.

Ndërkaq sa i përket Universitetit të Gjakovës, Nagvci tha konkursi i parë për rektor të ri është anuluar sepse kanë qenë dy kandidat por që nuk i kanë plotësuart kushtet sepse njëri kandidat ka qenë ish rektori i cili ka qenë i shkarkuar nga këshilli, dhe për tjetrin  tha se me aq sa është njoftuar ka qenë një kandidat që nuk i ka plotësuar kërkesat formale të konkursit sepse nuk i ka përcjellë të gjitha dokumentet  e nevojshme.

Nënshkrimi i Udhëzimit Administrativ për mbështetje financiare të studentëve për ndarjen e bursave, nënshkrimi i Udhëzimit Administrativ për shndërrimin e klasave të bashkangjitura në dhoma burimore, nënshkrimi i Udhëzimit Administrativ për rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e asistentit për fëmijët, nxënësit me nevoja të veçanta arsimore, miratimi i Programit Kombëtar të Shkencës, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e një çerdheje në Fushë Kosovë ishin disa prej sukseseve të tera që i konsideroi Nagavci teksa shtoi se janë në pritje të nënshkrimit të kontratës së një çerdheje në Batllavë të Podujevës dhe një çerdheje në Shtime.

Ajo theksoi se për të dytin vit me radhë Qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për tekstet shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.