Smith tregon si u bind të vinte në Kosovë për të raportuar gjatë luftës

Gazetari britanik Vaughan Smith, i cili gjatë luftës në Kosovë xhiroi luftimet në Prekaz dhe kufomat e të vrarëve, thotë se në Kosovë erdhi në vitin 1998 nga Zvicra.

Smith në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ishte Pleurat Sejdiu që punonte si taksist në Londër që e shtyu të vinte në Kosovë si dhe e vuri në kontakt me UÇK-në.

“Po kthehesha nga Kuba pasi kisha xhiruar vizitën e Papës atje dhe po flisja me taksistin nga aeroporti e po i tregoja që kisha gruan nga Sarajeva, taksisti filloi menjëherë të fliste me mua. Doli që ky ishte Pleurat Sejdiu, i cili ishte duke punuar si taksist në Londër dhe ai ishte shumë i lidhur dhe i organizuar me diasporën shqiptare në Londër”, tha ai.

“Më tregoi gjithçka për atë që po ndodhte në Kosovë dhe tha se duhet të shkoja në Kosovë. Unë i thashë që kjo ishte një ide e mirë. Kisha nevojë për një udhëtim të ri, më pëlqeu ajo që thoshte dhe më vuri në kontakt (me UÇK-në)”, deklaroi Smith.

Smith kishte filluar raportimet nga zonat në konflikt në Afganistan gjatë vitit 1988 ku kishte themeluar agjencinë e lajmeve ‘Frontal News’, agjencia kishte zgjatur për 15 vite.

Sipas tij, nga raportimet në terren gjysma e ekipit ishin vrarë.

“Frontline News” zgjati për 15 vjet, gjysma e njerëzve në atë agjenci u vranë gjatë kësaj kohe, do të thotë gjysma e miqve të mi që punuan me mua, gjithsej 8 persona u vranë atje në luftë. Në agjenci punonin vetëm 16 persona”, ka thënë Smith.

Pas Afganistanit, Smith kishte përcjellë të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi duke filluar në nga viti 1991 deri në fillimin e bombardimeve në Kosovë në vitin 1999.