Smajl Latifi parashtron tetë shqetësime të Rahovecit për COVID-19

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se në takimin e sotëm virtual me ministrin Arben Vitia ka ngritur tetë shqetësime të kësaj komune lidhur me masat kundër COVID-19.

Latifi ka deklaruar se janë për zbatim më konsekuent të masave që janë në fuqi e të ketë kujdes në aplikimin e masave shtesë.

Ai mes tjerash ka kërkuar ardhjen sa më të shpejtë të vaksinave anti COVID në QKMF-në e Rahovecit.

Këto janë shqetësimet që Latifi thotë t’i ketë ngritur në takimin e sotëm pas paralajmërimit të masave të reja:

  1. Respektim më rigoroz të masave që tani janë në fuqi dhe jo masa shtesë, meqë jemi në zonën e gjelbër dhe menaxhimi me pandeminë vazhdon të mbetet në vëmendjen dhe angazhimin tonë;
  2. Ne bëjmë dezinfektimin në baza ditore të objekteve shëndetësore dhe në çdo fundjave, edhe të shkollave dhe objekteve të tjera publike;
  3. Paraqita shqetësimin për mungesa të dukshme të furnizimit me barna esenciale dhe materialeve të tjera anti COVID;
  4. Ardhjen sa më shpejtë në QKMF të vaksinave anti COVID, aq sa na takon, edhe në furnizime të tjera, sepse ne jemi gati të fillojmë me vaksinim;
  5. Komuna jonë ka humbur shumë në të gjithë sektorët, dhe masat e reja si ajo e mbylljes totale do të sillte pasoja në ekonominë tonë, si: bizneset, prodhuesit, përpunuesit, fermerët, bujqit, transport publik si dhe vështirësi serioze edhe në jetën shoqërore;
  6. Jemi në fazën e mbjelljeve pranverore dhe çfarëdo kufizimi në këtë sektor, është humbje e madhe, e kur dihet se ky sektor është i ndërlidhur shumë me gastronominë, humbjet do të jenë shumë të mëdha. Psh. është koha e sallatave të gjelbra dhe produkteve të tjera të kësaj periudhe, ndaj kufizimet janë të dëmshme;
  7. Plani i investimeve komunale publike mund të pësojë humbje nëse shtohen kufizimet;
  8. Më mirë të shtohen aktivitetet inspektuese, biles, të rritet numri i inspektorëve në nivel lokal dhe qendror, të rriten aktivitetet e policisë e të rritet përkrahja për ta, në mënyrë që të kemi zbatim rigoroz të masave që janë në fuqi.

Dje KALLXO.com raportoi se nga data 6 prill e deri me datën 18 prill pritet që të ketë mbyllje totale të gastronomisë dhe qendrave tregtare.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, në takimin e sotëm virtual me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kundërshtuar kategorikisht mbylljen totale si masë e frenimit të pandemisë COVID-19.