Skenderaj, mbillen drurë dekorativë në parkun e qytetit

Komuna e Skenderajt ka mbjellë disa drurë në parkun “Idriz Rreci” të qytetit.

Kryetari Bekim Jashari njoftoi se në pjesë të ndryshme të Skenderajt gjatë kësaj jave do të mbillen 280 drurë dekorativë.

“Sot së bashku me stafin tim, bëmë mbjelljen e drunjve dekorativ në parkun “Idriz Rreci”, në Skenderaj. Fokus të veçantë që nga koha kur kam ardhur në krye të komunës, jam duke i kushtuar mjedisit duke bërë largimin e deponive ilegale dhe shtimin e mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta në mjedisin tonë të përbashkët”, citohet të ketë thënë Jashari në një postim të Komunës së Skenderajt në rrjetin social “Facebook”.

Mbjellja e drunjve në parkun “Idriz Rreci” Foto: Komuna e Skenderajt, Facebook

KALLXO.com në muajin korrik të këtij viti kishte publikuar hulumtimin për qindra drurëj që ishin tharë në disa rrugë të qytetit të Skenderajt.

Drurët në rrugën “Osman Geci”, “17 Shkurti” dhe një pjesë në atë “28 Nëntori” janë tharë shtatë muaj pasi u mbollën. Për këtë, komuna kishte fajësuar operatorin ekonomik, e këta të fundit deklaruan se nuk ka qenë pjesë e kontratës mirëmbajtja e tyre.

Ky projekt Komunës së Skenderajt i kushtoi 39,968 euro. Për këta drunj ishte bërë edhe pranimi teknik nga ana e zyrtarëve të komunës së Skenderajt. Kryetari Bekim Jashari ishte pyetur për këtë çështje edhe në debatin “Jeta në Komunë” përballë gazetares Jeta Xharra. Jashari ka thënë se do t’i bëjë zëvendësimin e tyre.

Tenderi i dështuar i Komunës së Skenderajt, thahen qindra drurë