Tenderi i dështuar i Komunës së Skenderajt, thahen qindra drurë

Ishte planifikuar t’i jepnin hijeshi qytetit të Skenderajt, por drurëve dekorativë të mbjellë në dhjetor të vitit të kaluar u janë tharë gjethet por edhe trungu.

Janë mbi 200 drurë dekorativë që janë tharë në pjesë të ndryshme të Skenderajt.

Drurët në rrugën “Osman Geci”, “17 Shkurti” dhe një pjesë në atë “28 Nëntori” janë tharë shtatë muaj pasi u mbollën.

Tenderi me titullin “furnizim me fidane, drunj dekorativ dhe lule të ndryshme për gjelbrimin e qytetit në Skenderaj” ishte dhënë në muajin shtator të vitit të kaluar për kompaninë ‘Agrocoop’. Kurse, mbjellja e tyre është bërë në muajin dhjetor.

Ky projekt Komunës së Skenderajt i kushtoi 39,968 euro.

Komuna e udhëhequr nga Bekim Jashari ka fajësuar kompaninë për dështimin e drurëve, pasi që “nuk janë mbjellë si duhet”.

Zyra për Informim ka deklaruar për KALLXO.com se i kanë dërguar kërkesë kompanisë për zëvendësimin e tyre.

“Pasi kemi përgatitur raportin nga komisioni lidhur me dështimin e drunjve si pasojë e mos mbjelljes së duhur kemi dërguar kërkesën tek kompania për zëvendësimin e Drunjve Dekorativ dhe jemi ne fazën e Konfiskimit te Sigurisë se Cilësisë ne vlerën e 10% te Kontratës te cilën e kemi dergu tek kompania e Sigurimeve për Konfiskim. Pas konfiskimit të sigurisë së cilësisë do të vazhdojmë me hapat e mëtutjeshëm ndaj kompanisë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Skenderajt.

Në anën tjetër, nga kompania “Agrocoop” thonë se është bërë pranimi teknik pas mbjelljes e që për mirëmbajtjen shtojnë se ka qenë kompetencë e Komunës së Skenderajt.

“Ne e kemi dhënë arsyetimin tonë tek Komuna. Ne e kemi raportin që është bërë pranimi teknik. Gjithçka në rregull ka shku, është kry pagesa, ata e kanë pasë mirëmbajtjen. Ata [Komuna] nuk e ka bë mirëbajtjen, prandaj u ka dështu një pjesë e drunjve. Na nuk kemi pasë kontratë për mirëmbajtje. Ka qenë edhe kohë pandemie, kur ka qenë sezona për ujitje, prandaj nuk kanë faj as Komuna që s’ka mujtë me ujitë edhe pse ka qenë thatësi. S’kanë dështu veç në Skenderaj por edhe në komuna të tjera për shkak të pandemisë”, tha zyrtarja e kësaj kompanie për KALLXO.com

KALLXO.com ka siguruar disa fotografi nga disa rrugë ku shihen drurët e tharë.

Rruga “17 Shkurti” – Skenderaj/ Foto:KALLXO.com
Rruga “Osman Geci” – Skenderaj/ Foto:KALLXO.com
Rruga “Osman Geci” – Skenderaj/ Foto:KALLXO.com
Rruga “Osmani Geci” – Skenderaj/ Foto:KALLXO.com
Rruga “17 Shkurti” – Skenderaj/ Foto:KALLXO.com
Rruga “17 Shkurti” – Skenderaj/ Foto:KALLXO.com
Rruga “28 Nëntori” – Skenderaj/ Foto:KALLXO.com