“S’ka njeri që nuk gabon”, pranon fajin i akuzuari për shitje të armëve

Bajram Syla, i akuzuar nga Prokuroria për shitje të armëve dhe fishekëve  sot pranoi fajësinë para Gjykatës së Prishtinës.

“Pa faj unë nuk isha ardhur këtu. S’ka njeri që nuk gabon” , tha ai duke shprehur pendesë për veprën e kryer.

Sipas aktakuzës, Bajramit i ishin gjetur dhe konfiskuar në shtëpinë e tij një armë automatike AK 47, një armë jofunksionale, një kondak i armës, katër magazina për AK, 47,109 fishek cal 7.62 mm, 33 fishek cal. 7.65 mm, një revole jofunksionale, 4 dorëza të armës, një pjesë trombloni, 5 pjesë të drurit për armë, një magazinë për 7.65mm, 18 fishek për M 48, 3 pjesë për armë tyt dhe kondak dhe një kondak i armës.

Për shitje të armëve dhe fishekëve pa autorizim, po akuzohet edhe Adem Fazliu.

Sipas Prokurorisë, ai armët nuk i ka mbajtur në shtëpi, por në bazë të përgjimeve telefonike të njëjtat i ka fshehur në vende të ndryshme dhe disa i ka dërguar edhe në shtëpinë e Vesel Fazliut.

Adem Fazliu për veprën që po i vihet në barrë u deklarua i pafajshëm, prandaj, ndaj tij do të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor.

Gjykata vendosi që procedura ndaj Bajram Sylës të veçohet dhe shpallja e vendimit pritet të bëhet ditën e premte.

Të akuzuar në këtë rast ishin edhe Tafil Berisha dhe Vesel Fazliu. Të njëjtit sipas gjyqtares së rastit, Naime Jashanica e kishin pranuar fajësinë për shitje të armëve dhe fishekëve pa autorizim.