S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, për shkak të mungesës së kuorumit.

Pavarësisht prezencës së gjashtë deputetëve, anëtarë të komisionit, në votim për miratimin e rendit të ditës nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa dhe Rashit Qalaj.

Nënkryetarja e këtij komisioni, deputetja Arta Bajralia (LVV), ka konstatuar se nuk ka kuorum dhe mbledhja u mbyll.

Në rend të ditës ishte shqyrtimi i Raportit të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Fondit për Sigurime Shëndetësore, për vitin 2022.

I ftuar në komision ishte, Bujar Kaçuri, drejtor i FSSH-së.

Në një konferencë për media, javën e kaluar PDK-ja ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seanca parlamentare. Kështu ka bërë të ditur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Më 13 korrik 2023, në Kuvendin e Kosovës, gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një pëleshje fizike.
E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi. Në mbrojtje të kryeministrit doli ministri i Financave, Hekuran Murati derisa Bislimi shihet teksa gjuan një shishe në drejtim të Lushtakut.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, shihet duke goditur ministrin Murati. Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së. Kjo shkaktoi që më pas edhe mbrojtja e Kurtit të hyjë brenda sallës së Kuvendit, përderisa kryeparlamentari, Glauk Konjufca u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të shkojë në sallë dhe të ndërhyjë.

Deputetët e partisë në pushtet dhe opozitës kanë filluar të shtyhen mes vete, kur Kuvendi vazhdoi një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në nisje të seancës, deputetët e PDK-së kanë sjellë pankarta të mëdha me fotografitë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ku duken me hundë të madhe e me mbishkrimin “Zdravo” [Përshëndetje, në gjuhën serbe].

Kjo si revoltë e opozitës ndaj pushtetit, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dëgjohet biseda e shefes s deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, në qershor të vitit të kaluar.
Për rastin e përleshjes, në intervistim në prokurori janë thirrur deputetët e PDK-së, Mergim Lushtaku dhe Hajdar Beqa, si dhe qeveritarët, Besnik Bislimi dhe Hekuran Murati.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Prokurorisë se ministri i Financave, Hekuran Murati është ftuar si i dëmtuar për intervistim, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi si i dyshuar.