Foto: ZPRK

Situata në veri, presidentja Osmani takoi drejtuesit e institucioneve të sigurisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar takime me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti, drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, shefin e Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor  Franco Federici, me të cilët ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend.

Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se Serbia është burim i destabilizimit në rajon, duke ftuar bashkësinë ndërkombëtare t’i kundërvihet përpjekjes së tillë, sikurse edhe diskursit nxitës, i cili burimin nuk e ka vetëm në Serbi, por edhe në Rusi.

Presidentja ka theksuar se Kosova nuk është duke e provokuar situatën e sigurisë, përveçse duke zbatuar ligjin, teksa Policia e Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ajo ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, e cila po dëshmon profesionalizëm  në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 20 shtatori kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve që vijnë nga Serbia.

Kjo masë po kundërshtohet nga qytetarët serbë, të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Kosova ka vendosur njësitë speciale të Policisë në afërsi të këtyre dy pikave, ndërsa Serbia ka shtuar praninë ushtarake në zonën kufitare.

Më 26 shtator njësitë ushtarake serbe në Rashkë, që gjendet afër kufirit me Kosovën, i vizitoi ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.