Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Situata me zjarret në Kosovë - e qetë por mund të përkeqësohet

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata me vatrat e zjarrit në gjithë Kosovën aktualisht është e qetë dhe pa rrezik, por me tendencë përkeqësimi.

Përmes një njoftimi për media, Agjencia ka njoftuar për zjarrin malor në komunën e Suharekës dhe Malishevës që është eliminuar tërësisht.

“Zjarri Malor në Komunën e Suharekës dhe Malishevës , e cila kishte filluar ne fshatin Doberdolan dhe kërcënonte me shtrirje edhe në fshatin Pagarushë të komunës se Malishevës, pas intervenimit nga njësitë e këtyre Komunave te ndihmuara edhe nga komunat tjera nga Rajoni i Prizrenit, arriti te vihet ne kontrolle deri ne eliminimin e tërësishëm”, thuhet në njoftim.

Tutje, po ashtu, Agjencia ka njoftuar se ditë më parë shfaqja e zjarrit në komunën e Vushtrrisë paraqiti rrezik për shtrirje dhe kërcënim, por sipas tyre, arriti te menaxhohet nga kapaciteti i Komunës dhe ndihmës nga komunat fqinje, të koordinuara nga QOE 112 Mitrovicë jug dhe Prishtinë.

“Rajonet tjera deklarojnë qetësi, pa përjashtuar vatra zjarri fushore dhe malore të cilat janë menaxhuar dhe përmbyllur si kërcënim”, thuhet në fund.

Në disa rajone të Kosovës gjatë javës së kaluar ishin përhapur shumë zjarre, por se situata është vënë në kontroll.

Për të shuar vatrat e zjarrit, me kapacitet të plotë ishin angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i.