Foto: Ilustrim

Sindikata e Shëndetësisë: Rritje të pagës 50% ose e ndalim punën

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, pas një mbledhje të Këshillit Drejtues ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës rritje të pagave për të gjithë punonjësit shëndetësor prej 50%, nëse Ligji për Paga nuk procedohet dhe miratohet me buxhetin e vitit 2022.

“Këshilli Drejtues i FSSHK-së ia kujton gjendjen e rëndë të punëtorëve shëndetësor si pasojë e inflacionit dhe shtrenjtimit të jetës, rritje kjo e cila do të ndikonte në zbutjen e kësaj gjendje, kjo rritje do të vlente deri në fillimin e implementimit të Ligjit të Pagave”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, FSSHK deri me datën 15 dhjetor do të bisedojë me secilin anëtar të vet dhe njëkohësisht “pret reflektim nga Qeveria për të cilën ka formuar një grup negociues, nëse edhe kjo nuk ndodhë, FSSHK paralajmëron masa radikale sindikale, siç është ndërprerja e punës në të gjithë institucionet publike shëndetësore”.

“Mbesim me shpresë që Qeveria do të reflektojë në të kundërtën për të gjitha pasojat e mundshme përgjegjësinë e bartë vet Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.

Më 25 nëntor dhe më 2 dhjetor, stafi shëndetësor kanë mbajtur grevë 8-orëshe. Në krye të kësaj greve ishte kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

Grevistët kërkonin nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Ligji për Paga. Një kërkesë të tillë e kishte edhe SBAShK, që kishte paralajmëruar protestë më 4 dhjetor, por e kishin anuluar, pas një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që kanë biseduar për Ligjin për Paga.

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë.

Pas kësaj deklarate, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka reaguar dhe sipas tij, Kurti e ka tepruar me ‘kërcënime dhe shantazhe” ndaj tij.

Syla – Kurtit: E ke tepru me kërcënime dhe shantazhe