Kryeministri Kurti uron të ndërrohen drejtuesit e sindikatave në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë.

Kurti u shpreh kështu në një konferencë për media sot, kur u pyet për grevat që janë duke u mbajtur nga Sindikata e Shëndetësisë dhe disa sindikata të tjera sa i përket Ligjit për Paga.

“Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, tha Kurti.

Ai shtoi se i kupton grevat, por sipas tij, “mirëkuptimi im varet nga ligjshmëria e tyre”.

“Duhet të kemi greva të ligjshme sepse Qeveria e Kosovës po bën gjithçka që të ju dalë në ndihmë punëtorëve shëndetësorë”, shtoi Kurti më tej.

Më 25 nëntor dhe më 2 dhjetor, stafi shëndetësor ka mbajtur grevë 8-orëshe. Në krye të kësaj greve ishte kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

Grevistët kërkonin nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Ligji për Paga.

Një kërkesë të tillë e kishte edhe SBAShK, që kishte paralajmëruar protestë më 4 dhjetor, por e kishin anuluar pas një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që kanë biseduar për Ligjin për Paga.

Anulohet protesta e SBAShK-ut për Ligjin për Paga